E Hënë, 2 Nëntor 2026

ANALIZË – Pa një marrëveshje të garantuar tregtare BE-SHBA, Europa mban të hapur “kundërpërgjigjen”

BRUKSEL, 24 korrik /ATSH/ – Një marrëveshje tregtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara  të Amerikës mund të jetë e afërt, por meqenëse ende nuk ka asnjë garanci, Brukseli vazhdon të përgatitet për masa kundërpërgjigjeje, sipas kanalit televiziv  “CNBC”.

“Aktualisht, një normë tarifore bazë prej 15% ,që përfshin një tarifë ekzistuese rreth 4,8% është skenari bazë për eksportet e BE-së drejt SHBA-së”,  i tha një diplomat i BE-së kanalit “ CNBC”. “ Megjithatë, mund të ketë përjashtime që janë ende në shqyrtim”, shtoi ai. “BE-ja mund të ulë gjithashtu tarifat e saj për produktet amerikane”.

Negociatat midis SHBA-së dhe BE-së kanë qenë të vështira, ndërsa presioni po rritet përpara afatit të 1 gushtit, pas të cilit eksportet e BE-së në SHBA do të përballen me një tarifë prej 30%. Edhe pse më e ulët se norma 50% që kishte përmendur më parë ish-presidenti Trump, tarifa 30% pritet të ketë ndikim të rëndë mbi bizneset dhe ekonomitë në të dy anët e Atlantikut.

John Plassard, partner dhe strateg investimesh në “Cité Gestion” (bankë e pavarur private në Zviër), tha për “CNBC” në se një normë 15% do të ishte “e rëndësishme, por jo shkatërruese” për tregjet.

“Nuk mendojmë se është fundi i botës”, tha Plassard, duke shtuar se megjithëse pritet më shumë paqëndrueshmëri, zhvillimet e fundit janë “më konstruktive se sa retorika e mëparshme.”

Marrëveshja ende nuk është përfunduar.  Megjithatë, marrëveshja është larg përfundimit. Një diplomat i BE-së tha për CNBC se “vendimi përfundimtar është në duart e presidentit Trump”.

Një tjetër zyrtar i BE-së u shpreh gjithashtu me skepticizëm, duke thënë se raportimet se palët janë afër një marrëveshjeje janë “tepër optimiste”.

“Kontaktet mes palëve vazhdojnë, por deri sa presidenti Trump të shprehet vetë, nuk kemi asgjë konkrete. Çdo gjë mbetet ende e hapur”, thanë ata.

Administrata e presidentit  Trump-it mbajti dje të njëjtin qëndrim të ngjashëm.

Kur u pyet për tarifën e mundshme prej 15%, zëvendëssekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, tha se diskutimet mbi marrëveshjen tregtare janë “spekulative,” sipas një raporti të Reuters.

Trump është i njohur për ndryshime të papritura qëndrimi dhe vendime të shpejta,  siç ndodhi këtë javë me marrëveshjen tregtare SHBA-Japoni.  Gjatë një takimi me delegacionin japonez, u vunë re ndryshime në një kartelë me marrëveshjen që ndodhej në tavolinën e presidentit Trump, sipas një fotoje të postuar në  platformën X nga Dan Scavino, zëvendës-shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë.

BE përgatitet për skenarin pa marrëveshje

Ndërkohë, BE-ja po përgatit kundërmasa që do të hyjnë në fuqi nëse tarifat amerikane zbatohen javën e ardhshme.

Masa kryesore do të jenë tarifat hakmarrëse që mund të hyjnë në fuqi vetëm disa ditë pas vendosjes së tarifave amerikane. Sipas planit të ri të BE-së, listat e mëparshme të kundërmasave do të kombinohen në një listë të vetme që kap vlerën e 93 miliardë eurove (rreth 109.4 miliardë dollarë).

Gjithashtu, është diskutuar gjerësisht përdorimi i të ashtuquajturit “Instrument kundër shtrëngimit” (Anti-Coercion Instrument),  një opsion që është cilësuar si “arma bërthamore” e BE-së.

Nëse zbatohet, kompanitë amerikane mund të përballen me kufizime në qasjen e tyre në tregun e BE-së, për shembull, mund të ndalohen të marrin pjesë në tenderë publikë, të përballen me kufizime në eksport-import dhe të pengohen në investime direkte.

Deri më tani, Franca është i vetmi vend që ka kërkuar “vendosjen e menjëhershme të masave kundërshtrënguese”, por sipas një diplomati të BE-së, ka një shumicë të cilësuar në favor të këtij instrumenti nëse nuk arrihet një marrëveshje. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›