E Hënë, 2 Nëntor 2026

KINEMA – Angelina Jolie: E dua vendin tim, por nuk e njoh më Amerikën e sotme

LONDËR, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Po jetojmë në një periudhë të vështirë dhe ndonëse e dua vendin tim, nuk e njoh më Amerikën e sotme, tha aktorja e famshme hollivudiane, Angelina Jolie.

Duke folur në një konferencë për shtyp dje gjatë Festivalit të Filmit në San Sebastian,  Jolie, 50 vjeçe, e lindur në Los Anxheles, u fokusua te liria e shprehjes në SHBA.

Deklarata e saj erdhi pas vrasjes së aktivistit konservator, Charlie Kirk dhe polemikave mbi censurën qeveritare, pasi rrjeti “ABC” vendosi të pezullojë emisionin “Jimmy Kimmel Live!” pas komenteve të moderatorit lidhur me reagimet pas vdekjes së Kirk.

“Unë e dua vendin tim, por nuk e njoh Amerikën në këtë kohë që po jetojmë”, u shpreh Jolie.

“Kam jetuar gjithmonë me njerëz të kombeve të ndryshme. Familja ime, miqtë e mi, jeta ime, këndvështrimi im mbi botën është i barabartë, i bashkuar, ndërkombëtar”, tha ajo.

“Çdo gjë që ndan njerëzit apo kufizon fjalën e lirë dhe liritë personale, nga kushdo, është shumë e rrezikshme. Këto janë kohë të vështira dhe duhet të jemi të kujdesshëm me çdo fjalë”, tha aktorja.

Angelina Jolie ndodhet në San Sebastian për të promovuar filmin e saj të ri “Couture”.

Filmi rrëfen historinë e tre grave, përfshirë personazhin e saj Maxine, e cila udhëton në Paris për të drejtuar xhirimet për një event mode, por përballet me momente të vështira kur zbulon një diagnozë të rëndë mjekësore. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›