BM – Sekretarja e Jashtme: Izraeli të mos hakmerret pas njohjes së Palestinës

LONDËR, 22 shtator /ATSH-DPA/ – Izraeli nuk duhet të hakmerret për njohjen e Palestinës nga Britania e Madhe dhe aleatët e saj duke zgjeruar vendbanimet në Bregun Perëndimor, tha sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper.
“Vendimi për të njohur Palestinën synon të rrisë sigurinë duke mbajtur gjallë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”, theksoi ajo.
Britaia e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Portugalia morën këtë hap kryesisht simbolik për njohjen e Palestinës, ndërsa shtete të tjera, përfshirë Francën, priten të bëjnë njoftime të ngjashme sot në Kombet e Bashkuara.
Për t’iu përgjigjur shqetësimeve se Izraeli mund të përgjigjej duke përshpejtuar vendosjen e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, pjesë e territoreve të pushtuara që do të formonin një shtet palestinez, Cooper tha se “kishte qenë e qartë, dhe se ajo ishte e qartë me ministrin e jashtëm izraelit, kemi qenë të qartë me qeverinë izraelite se ata nuk duhet ta bënin këtë”.
“Kemi qenë të qartë se ky vendim që po marrim ka të bëjë me mënyrën më të mirë për të respektuar sigurinë e Izraelit, si dhe sigurinë e palestinezëve. Bëhet fjalë për mbrojtjen e paqes dhe drejtësisë dhe, më e rëndësishmja, sigurinë në Lindjen e Mesme, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë në rajon për ta arritur këtë”, u shpreh ajo për BBC-në
Britania e Madhe do të përdorë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare për një kuadër paqeje në Lindjen e Mesme, pas njohjes së shtetit palestinez.
Cooper synon të forcojë “konsensusin ndërkombëtar mbi rrugën tonë për paqen në Lindjen e Mesme”.
Sipas Ministrisë së Jashtme, ajo do të zhvillojë takime për të avancuar elementët e planit, përfshirë qeverisjen tranzitore dhe masat e sigurisë për të siguruar që Hamasi të mos ketë rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës.
Qeveria britanike ka pranuar se njohja e një shteti palestinez nuk do të lehtësojë krizën humanitare në Gaza dhe nuk do të kontribuojë në lirimin e të rrëmbyerve nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Por Britania e Madhe beson se ky hap është i nevojshëm për të ruajtur perspektivën e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete në konfliktin e Lindjes së Mesme, ku Izraeli ekziston pranë një shteti palestinez
Zëvendëskryeministri David Lammy do të përfaqësojë Britaninë e Madhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, së bashku me Cooper dhe sekretarin për Energjinë, Ed Miliband. /Ad.Ab./