E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli rihap pikën kufitare me Jordaninë pas sulmit vdekjeprurës

TEL AVIV, 22 shtator /ATSH-DPA/- Izraeli rihapi sot të vetmin vendkalim kufitar për palestinezët që udhëtonin nga Bregu Perëndimor i pushtuar në Jordani, katër ditë pasi një sulm vrau dy ushtarë izraelitë, raportoi mediat izraelite, duke cituar Autoritetin e Aeroporteve, i cili mbikëqyr vendkalimin.

Megjithatë, dërgesat e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës mbeten të pezulluara.

Kalimi kufitar, i kontrolluar nga Izraeli, u mbyll të enjten pas një sulmi ndaj dy ushtarëve izraelitë, të stacionuar atje. Ushtria izraelite fajësoi për vrasjet – një shofer jordanez që transportonte ndihma për Gazën.

“The Times of Israel” raportoi se Jordania rihapi urën për pak kohë dje, por Izraeli e mbylli atë sërish, papritur.

“Një hetim jordanez për sulmin duhet së pari të përfundojë dhe gjetjet e tij të ndahen me Izraelin – përpara se vendkalimi kufitar të mund të përdoret sërish për dërgesat e ndihmës humanitare”, raportoi faqja izraelite e lajmeve “ynet”.

“The Times of Israel” raportoi se procedurat e kontrollit për shoferët nga Jordania do të duhej të përditësoheshin paraprakisht.

Ndërkohë, furnizimet me ndihmë po vazhdojnë të arrijnë në Rripin e Gazës nëpërmjet rrugëve të tjera.

Shumë palestinezë nga Bregu Perëndimor përdorin vendkalimin kufitar në Urën e Mbretit Hussein, e njohur edhe si Ura Allenby, për të udhëtuar nga Jordania në vende të tjera. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›