E Diel, 1 Nëntor 2026

Lashë SHBA-në për Shqipërinë

Pasi mbylla me mund valixhen e fundit, fshiva djersët e ballit me kurrizin e dorës. Ndjeva lodhje dhe një marrje të lehtë mendsh. U ula mbi valixhen, ashtu e fryrë dhe e tejmbushur siç ishte, dukej si opsioni më i rehatshëm për të lehtësuar gjunjët që më dridheshin nga lodhja. Vetëm atëherë u kujtova se mund të thyeja ndonjë send me vlerë, por nuk lëviza. Qëndrova ashtu për ca minuta të gjata, duke kundruar apartamentin tim të zbrazët, pikturat e mbështetura rrëzë murit, kutitë me sende për t’u dhuruar, arkat me librat që nuk gjeta një mënyrë të volitshme për t'i marrë me vete.

Nga grilat e ballkonit hynte brenda e kuqja e feksur e perëndimit të fundit amerikan. "Nesër në këtë kohë do jem në Tiranë", mendova dhe ndjeva se ndarja me rraqet e shumta që njeriu grumbullon në dymbëdhjetë vjet ishte një lloj pastrimi shpirtëror i nevojshëm. Ose në këtë mënyrë u mundova të qetësoj veten. Vendimi për t’u kthyer në Shqipëri më kishte bërë të lumtur, gjithsesi, të tillë stres si ky që pata kaluar këto ditë të fundit nuk e kisha provuar kurrë më parë.

Ndërrime adresash, transferime llogarish, ndarje me shokët, mikeshat, kolegët... e pata kuptuar se një largim ceremonial do të ishte jo vetëm i vështirë por edhe i padurueshëm, ndaj zgjodha ta bëj gjithçka me të njëjtën mënyrë siç kam jetuar të përditshmen, pa tam-tam e ty-ty-ty, pa "shikomëni mua, po kthehem në Atdhe". Zgjodha një heshtje anonime që m’u bë mike e më ndihu ta përballoj situatën siç duhej.

Dola në ballkon dhe ndeza një cigare, e thitha fort. Të tilla nuk do të gjej në Shqipëri, por ndoshta kjo do bëhet shkak për ta lënë fare flamën". "Flamën"?- Këtë fjalë s'e dëgjoja prej shumë vitesh, nga më erdhi? M’u kujtua gjyshi. I miri gjysh, më i miri në botë pa asnjë mëdyshje, të cilin nuk e përcolla dot siç do të kisha dëshiruar... Isha shumë larg. Ndodhi papritur. Kur e mora vesh nga im atë në telefon po laja rrobat në një Laundromat. Sa ligsht jam ndjerë për plakun që më rriti, që s'qeshë aty ta falënderoja për dhuratat morale që më fali. Kanë kaluar gjashtë vjet qysh atëherë.

Dy muaj më parë më erdhi oferta për të punuar në Shqiperi. Mbaj mend se kam mbetur ashtu i ngrirë e u zhyta në të thella. Një punë sfiduese, interesante, në sektorin privat. Në arsim. Rrëmoja në sirtarin e justifikimeve por nuk gjeja asnjë të përshtatshëm, e ktheva përmbys…"sakrificë financiare, shëndetësia e keqe në Shqiperi, karriera e nisur në SHBA…". Asnjëra nuk po më dukej plotësisht e volitshme, rroga do ishte e mirë, pozicioni i punës sfidues, shëndeti…jam djalë i shëndetshëm, "sportist!". Më duhej diçka më e saktë për të refuzuar ftesën në Shqipëri… diçka më… pastaj ndala. Prit! Po i shmangesha asaj që më fort kisha dëshiruar për kaq kohë. Po kërkoja arsye t'i bëja bisht kthimit në atdhe. Ishte koha për të zbatuar ato që u kisha predikuar të tjerëve. "Put your money where your mouth is!".

Pastaj i mbylla sytë dhe e imagjinova veten në Tiranë. Për çudi nuk më bezdisën as tymi i rrugëve, as trafiku torollak, as telat e korrentit që varen mbi kokë… të gjitha këto janë vetëm bezdi të harrueshme, të përkohshme. M’u kujtuan fjalët e një miku që më kujtoi dikur se Shqipëria nuk e ka luksin t'i falë djem e vajza Amerikës…

Disa ditë më vonë u thashë ca të njohurve se ç’kisha ndërmend të bëj. Ata ngritën vetullat, më quajtën të marrosur…"Si ore do kthehesh në Shqipëri, të kanë lënë mendtë? Ti je rritur në Amerikë…!". Agresiviteti i tyre i tepruar ishte konfirmimi për të cilin kisha nevoje. Pse m’u sulën ashtu? Vendimi im, vinte në pikëpyetje zgjedhjet e tyre. E kuptova që më tepër se me mua, e kishin me veten e tyre. "Do shkoj, u thashë, e kur të jeni në Tiranë, më bëni një zë, atje më gjeni. Unë do vij t'ju vizitoj, sigurisht, kam shumë kujtime këtu, por qendrën e gravitetit e paskam atje. Më ndjeni miq...".

E tash drejtoj Zyrën e Komunikimeve të një Universiteti në Tiranë, një institucion i shkëlqyer edukativ, ku kam fatin të rrah shpatullat me disa nga personalitetet më të spikatur të arsimit shqiptar. Jam i rrethuar nga njerëz që më frymëzojnë, me të tillë kulturë dhe dije që vështirë ta gjesh të grumbulluar të gjithën në një vend. Ishte një rast që më erdhi pa e kërkuar, e që pata guximin dhe kthjelltësinë ta përqafoj. Jam pranë njerëzve të mi të dashur, në të ëmblën vendlindje. Zgjohem me gumëzhimën energjike të Tiranës, i përmbushur, dhe hapat e mi trokasin në trotuaret ku përkasin. Këtu, të ndihem mirë nuk më kushton asgjë. Sa të çuditshme janë udhët e jetës!

*Autori është një i ri që ka vendosur të rikthehet në Shqipëri, pas 12 vitesh në SHBA. Titulli është i redaksisë. Titull i autorit është “Pa pishman”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›