E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KLGJ propozon shtimin e 84 vendeve të gjyqtarëve, totali parashikohet të arrijë në 519 deri në vitin 2030 - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor ka propozuar shtimin e 84 vendeve të përhershme operacionale për gjyqtarë dhe krijimin e 18 vendeve rezervë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të parashikuar deri në vitin 2030 në 519.

Propozimi është pjesë e një studimi për rishikimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve për periudhën 2026–2030, miratuar nga KLGJ dhe hedhur për konsultim publik.

Në studim parashikohet edhe krijimi i një kapaciteti të përkohshëm prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë, me kushtin e krijimit të bazës së nevojshme kushtetuese dhe ligjore.

Sipas KLGJ-së, studimi mbështetet në analizën e ngarkesës gjyqësore dhe metodologjinë e Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë, me synim rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe reduktimin e çështjeve të prapambetura.

Në kuadër të konsultimit publik, KLGJ u ka bërë thirrje qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve të drejtësisë dhe subjekteve të interesuara të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre për studimin.

Shtimi i numrit të gjyqtarëve do të shoqërohet edhe me rritjen e administratës gjyqësore. Sipas përllogaritjeve paraprake të Departamentit të Programimit dhe Administrimit të Buxhetit, rritja me 102 vende të përhershme gjyqtarësh kërkon shtimin e të paktën 336 punonjësve jogjyqtarë.

Kjo rritje parashikohet të ketë një efekt financiar vjetor në shpenzimet e personelit prej 424 milionë lekësh për 102 gjyqtarët dhe 656 milionë lekësh për 336 punonjësit jogjyqtarë. Nga këta të fundit, 102 do të jenë ndihmës ligjorë dhe 234 nëpunës civilë gjyqësorë.

/e.i/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›