E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndalimi i avokatit Ulian Barjami, Qeleshi: I paligjshëm, u bë me iniciativë të Policisë Gjyqësore. Nuk ka patur kallëzim nga prokurori

Të paligjshëm e ka konsideruar kryetarja e Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi ndalimin e avokatit Ulian Barjami. E ftuar në studion e emisionit “Tema e Ditës” me Arbër Hitajn në RTSH, Qeleshi tha se ndalimi i tij është bërë me iniciativë të Policisë Gjyqësore Elbasan dhe se nuk ka patur asnjë denoncim nga ana e prokurorit.

“Nuk ka pasur ndonjë kallëzim penal as nga ana e prokurorit as nga ana e gjykatës, por të nesërmen, me iniciativë në kundërshtim me ligjin, Policia Gjyqësore Elbasan ka urdhëruar ndalimin e avokatit. Fillimisht është thirrur për t’u pyetur avokati. Është mbajtur një procesverbal për sekuestrimi e telefonit të tij. Kjo është në kundërshtim me ligjin, sepse sekuestrimi bëhet vetëm me urdhër të gjykatësit. Pra nuk ka patur kallëzim nga prokurori, është vepruar me iniciativë nga policia gjyqësore e drejtorisë vendore të Policisë Elbasan. Ndalimi i avokatit është bërë me iniciativë nga Policia Gjyqësore. Duhej të ishte urdhëruar lirimi i menjëhershëm të tij”, u shpreh ajo.

Barjami u lirua pasditen e kësaj të hëne, dy ditë pasi u ndalua pas përplasjes me prokurorin Gjergji Ceka në seancën për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor pranë ambienteve të një lokal në qytetin e Elbasanit. Ndër personat e ndaluar ishte edhe Maksim Suçi, i cili mbrohej nga avokati në fjalë.

Ndalimi i tij nxiti reagimin e menjëhershëm të avokatëve në mbarë vendin, të cilët kanë vendosur të bojkotojnë të gjitha seancat gjyqësore nga data 20 deri më 25 tetor, me përjashtim të atyre që lidhen me masat e sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›