E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOLUMBI – Ish-presidenti Uribe shpallet fajtor për manipulim dëshmitarësh

RIO DE ZHANEIRO, 29 korrik /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i Kolumbisë, Álvaro Uribe, u shpall fajtor për manipulim dëshmitarësh dhe mashtrim procedural në një gjyq historik, hera e parë që një ish-kreu i shtetit në vend dënohet për një vepër penale.

Gjatë shpalljes së vendimit që zgjati më shumë se 10 orë, gjyqtarja Sandra Heredia deklaroi se prokuroria kishte provuar përfshirjen e Uribes në këto krime.

Vendimi nuk është ende përfundimtar, dhe ekipi ligjor i Uribes pritet të apelojë. Një gjykatë apelimi duhet të japë vendim deri në mes të tetorit, përndryshe rrezikon që çështja të parashkruhet dhe të mbyllet.

Uribe, 73 vjeç, e ndoqi seancën online. Dënimi do të shpallet në një seancë të veçantë. Ai përballet me deri në tetë vjet burg, mundësisht në arrest shtëpie.

Ai u shpall fajtor për dy nga tre akuzat, ndërsa akuza për ryshfet u hodh poshtë.

Çështja buron nga procedurat që vetë Uribe i nisi më shumë se një dekadë më parë kundër senatorit të krahut të majtë Iván Cepeda, i cili kishte hetuar lidhjet e dyshuara të Uribes me grupet paraushtarake.

Situata u përmbys në vitin 2018 kur vetë Uribe u akuzua se kishte ushtruar presion ndaj ish-të burgosurve paraushtarakë për të dhënë dëshmi shfajësuese për të. Procedurat u vonuan vazhdimisht dhe vetëm në vitin 2024 u ngritën akuza kundër tij.

Uribe, një konservator që shërbeu si president nga viti 2002 deri në vitin 2010, mbetet një figurë përçarëse në Kolumbi. Mbështetësit e shohin atë si një mbrojtës të vendosur të sigurisë kombëtare gjatë një periudhe konflikti të fortë me grupet guerile të krahut të majtë.

Kritikët, megjithatë, e akuzojnë atë për shkelje të të drejtave të njeriut dhe mbajtjen e lidhjeve të ngushta me forcat paraushtarake.

Konflikti i brendshëm dekadash i Kolumbisë midis forcave qeveritare, guerilëve dhe paraushtarakëve të krahut të djathtë ka lënë rreth 220 000 njerëz të vdekur dhe miliona të zhvendosur./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›