E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – BE në pritje të tarifave të reja të Trump pas disa muajsh bisedimesh të vështira

BRUKSEL, 11 korrik /ATSH/- Bashkimi Evropian u përgatit sot për një letër të mundshme nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump – ku përshkruhen detyrimet e planifikuara për partnerin e tij më të madh tregtar dhe të investimeve, pas zgjerimit të luftës së tij tarifore në ditët e fundit, sipas “Reuters”.

BE, fillimisht ka shpresuar për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse tregtare, duke përfshirë tarifa zero-për-zero për mallrat industriale, por pas disa muajsh bisedimesh të vështira – ndoshta do të duhet të pajtohet me një marrëveshje të përkohshme duke shpresuar se diçka më e mirë mund të negociohet ende.

Blloku me 27 vende është nën presione kontradiktore, ndërsa fuqia gjermane kërkoi një marrëveshje të shpejtë për të mbrojtur industrinë e saj.

Anëtarët e tjerë të BE-së, si Franca thanë se negociatorët e BE-së nuk duhet të dorëzohen dhe të pranojnë një marrëveshje të njëanshme me kushtet e SHBA-së.

Pasi e mbajti pjesën më të madhe të botës në ankth për qëllimet e tij, Trump ka njoftuar tarifa të reja për një numër vendesh, duke përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, së bashku me një tarifë prej 50% ndaj bakrit dhe një rritje prej 35% ndaj mallrave kanadeze.

Politika e tij tarifore – që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë – ka filluar të gjenerojë dhjetëra miliarda dollarë të ardhura në muaj për qeverinë amerikane – dhe të dhënat të cilat pritet të publikohen sot në mbrëmje do të tregojnë – se të ardhurat që nga dita e inaugurimit të tij në janar deri në qershor e kanë kaluar 100 miliardë dollarë – fitimi më i madh vjetor i arritur ndonjëherë nga tarifat doganore.

“Ne mbetemi të përgatitur për të nënshkruar një marrëveshje me SHBA-në. Le të shohim se çfarë do të paraqesin miqtë tanë në Uashington pas disa orësh”, tha zëdhënësi i BE-së Olof Gill në një konferencë për shtyp.

Një burim me njohuri për negociatat SHBA-BE tha se një marrëveshje ishte afër, por se ishte e vështirë të parashikohej nëse BE-ja mund të merrte ende një letër që njoftonte më shumë tarifa ose kur mund të finalizohej ndonjë marrëveshje.

Aksionet evropiane shënuan sot një rënie, ndërsa investitorët prisnin informacion mbi tarifat ndaj BE-së.

Normat e larta që Trump njoftoi papritur këtë javë për Brazilin dhe më pas për Kanadanë janë emblematike të qasjes së tij të paparashikueshme për zbatimin e taksave. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›