KOMENT – Dislokimi i trupave amerikane në bregdetin venezuelian presion dhe retorikë

UASHINGTON, 23 gusht /ATSH-AFP/ – Dislokimi i trupave amerikane në Karaibe, veçanërisht tri anije luftarake në bregdetin e Venezuelës, po nxit retorikën luftarake dhe hamendjet për ndërhyrje tokësore, duke pasur parasysh se të dy vendet kanë pasur marrëdhënie konfliktuale për vite me radhë.
– Cilat janë qëndrimet zyrtare?
Zyrtarisht, ky dislokim ushtarak synon të frenojë trafikun e drogës dhe mbërritjen e drogës në Shtetet e Bashkuara.
Tre destrojerë do të pozicionohen në brigjet e Venezuelës, në ujërat ndërkombëtare.
Sipas raporteve të medias amerikane, presidenti Donald Trump gjithashtu planifikon të dërgojë 4 000 marinsa.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se ”Trump ishte i përgatitur të përdorte çdo element të fuqisë amerikane për të parandaluar që droga të përmbytë vendin tonë dhe për t’i sjellë ata që janë përgjegjës para drejtësisë.
“Qeveria Maduro nuk është qeveria legjitime e Venezuelës; është një kartel narko-terrorist”, shtoi ajo duke vënë në dukje se presidenti i Venezuelës ishte “nën akuzë në Shtetet e Bashkuara”.
Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë venezuelianë sigurojnë unanimisht se vendi do të mbrohet kundër “agresorit”.
Maduro ka folur për një luftë “Davidi kundër Goliathit” dhe ka aktivizuar “një plan të posaçëm me më shumë se 4,5 milionë anëtarë të milicisë”.
“Ajo që ata po kërcënojnë të bëjnë kundër Venezuelës – ndryshimi i regjimit, një sulm terrorist ushtarak – është imorale, kriminale dhe e paligjshme”, tha dje Maduro në Asamblenë Kombëtare.
– Çfarë mendon publiku?
I publikuar shumë nga qeveria, dislokimi amerikan është një temë bisede në Venezuelë, pa shkaktuar blerje paniku në tregje.
“Teorikisht, nëse (amerikanët) mbërrijnë këtë mëngjes në La Guaira (plazhi i Karakasit), ata do të bëjnë fotografi me venezuelasit, do të pinë një birrë”, qesh Wendy Ramirez, 35 vjeç.
Mbështetësit e Maduros, nga ana e tyre, thonë se janë të sigurt se Shtetet e Bashkuara “gjithmonë duan të shtypin të tjerët. Mjaft më. Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane janë gati. Është një gjigant, por ka edhe gjigantë me ne: rusët, kinezët”, thotë Gloria Hernandez, një pensioniste 70-vjeçare.
– A është e mundur një ndërhyrje?
Dislokimi amerikan vjen disa ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi njoftoi dyfishimin në 50 milionë dollarë të shpërblimit për informacionin që çon në kapjen e Maduros.
“Analogjitë janë të pashmangshme. Kujtojmë imazhet e Noriegës (ish-kreu i shtetit panamez) duke sfiduar Shtetet e Bashkuara apo Irakun në vitin 2003, Siria tani…”, kujton Edward Rodriguez, një analist politik që ka punuar për opozitën.
Megjithatë, ai dyshon në efektivitetin e imazheve të mobilizimit të milicisë.
“Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Maduro nuk mori as 4,5 milionë vota. Si mund të ketë 4,5 milionë militantë?”, pyet ai.
Opozita, e cila ankohet për mashtrim, pretendon fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Uashingtoni, si pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, nuk e ka njohur rizgjedhjen e Maduros.
Mariano de Alba, një specialist i gjeopolitikës me seli në Londër, e konsideron një ndërhyrje të SHBA-së “të pamundur”.
“Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara kanë vendosur forcën e tyre ushtarake në Karaibe”, tha ai.
Një ndërhyrje e SHBA-së do ta “ndërlikonte” përpjekjen e saj për të “përfunduar luftën në Ukrainë”, pasi do të forconte pozicionin e Putinit, aleatit të Karakasit, në negociata, beson ai.
– Deklarata të forta, por për kë?
Sipas De Albas, Maduro po nxjerr “përfitim politik nga situata”.
Presidenti rregullisht e justifikon krizën ekonomike në vendin e tij me luftën ekonomike të zhvilluar kundër tij nga “perandoria”, dhe këtu ai tregon se “qeveria e tij është në fakt nën rrethim”.
Gjeopolitikani ka frikë se situata mund të përdoret për të forcuar më tej sigurinë, duke rritur mundësinë e “spastrimit” dhe arrestimeve të “kundërshtarëve”.
De Alba thekson se “nëse administrata Trump do të kishte dashur vërtet të sillte ndryshimin e regjimit”, do të kishte preferuar një veprim “surprizë”, duke kujtuar se “i dha ‘Chevron-it’ një licencë të re (për të shfrytëzuar naftën pavarësisht embargos)”.
Për të dy ekspertët, administrata amerikane po kërkon të krijojë “momentum” për të ringjallur opozitën, e cila është në apati, një vit pas zgjedhjeve presidenciale.
“Gjëja më e rëndësishme është që çështja e Venezuelës është rikthyer në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë”, tha Rodriguez./ a.jor.