KOMENT – Izraeli shënon dy vjet nga sulmi i 7 tetorit, ndërsa lufta në Gaza vazhdon

TEL AVIV, 7 tetor /ATSH/- Mijëra njerëz u mblodhën sot në Izraelin jugor për të vajtuar të vdekurit, ndërsa vendi shënoi dy vjet që kur sulmi i Hamasit më 7 tetor e zhyti rajonin në një luftë shkatërruese, ndërsa Izraeli dhe Hamasi kanë vazhduar me bisedime indirekte për paqe në Egjipt, sipas AP.
Memoriali kryesor po organizohet nga familjet e viktimave, i ndarë nga një ceremoni që qeveria do të mbajë në përvjetorin e sulmit, javën e ardhshme – sipas kalendarit hebraik.
Ndarja pasqyron përçarjet e thella mbi udhëheqjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të cilin shumë njerez e kanë fajësuar për mosarritjen e një armëpushimi që do të lironte pengjet e mbetura në Gaza.
Në Rripin e Gazës, ku ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka shkatërruar qytete të tëra, shumë banorë janë larguar nga një tjetër pushtim izraelit i Qytetit të Gazës, ndërsa të tjerë po strehohen në vend. Shumë njerëz nuk janë në gjendje të bëjnë udhëtimin e vështirë dhe të kushtueshëm drejt jugut.
Sulmi më i keq në historinë e Izraelit
Kanë kaluar dy vjet që kur mijëra militantë të udhëhequr nga Hamasi u dyndën në Izraelin jugor pas një sulmi të papritur raketash. Ata sulmuan bazat ushtarake, komunitetet bujqësore dhe një festival muzikor në natyrë, duke vrarë rreth 1 200 njerëz, kryesisht civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Ata rrëmbyen 251 të tjerë, shumica e të cilëve janë liruar që atëherë në armëpushime ose marrëveshje të tjera.
Dyzet e tetë pengje mbeten brenda Gazës, rreth 20 prej tyre besohen nga Izraeli se janë ende gjallë.
Hamasi tha se do t’i lirojë ata vetëm në këmbim të një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një tërheqjeje të forcave izraelite.
Netanyahu është zotuar të vazhdojë luftën derisa të kthehen të gjithë robërit dhe Hamasi të çarmatoset.
Sulmi vuri në lëvizje një kaskadë ngjarjesh që e çuan Izraelin në luftë me Iranin dhe aleatët e tij në të gjithë rajonin, përfshirë Hezbollahun e Libanit, i cili pësoi humbje të mëdha.
SHBA iu bashkua Izraelit në sulmin ndaj programit ushtarak dhe bërthamor të Iranit në një luftë 12-ditore në qershor.
Izraeli ka vrarë disa militantë të lartë, si dhe gjeneralë iranianë dhe shkencëtarë bërthamorë, dhe ka marrë kontrollin e pjesës më të madhe të Gazës, si dhe pjesë të Libanit dhe Sirisë.
Por dështimi për të kthyer pengjet e ka lënë vendin thellësisht të ndarë, me protesta masive javore kundër Netanyahut. Izraeli është më i izoluar ndërkombëtarisht sesa ka qenë në dekada.
Gati 400 izraelitë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u rrëmbyen nga festivali i muzikës Nova në komunitetin kufitar të Reim.
Gjatë dy viteve të fundit, ai është shfaqur si një vend përkujtimor, me portrete të të rrëmbyerve dhe të rënëve të ngjitura në flamujt izraelitë.
Izraeli dhe Hamasi diskutojnë planin e paqes të Trump
Në Egjiptin fqinj, në vendpushimin Sharm el-Sheikh, Izraeli dhe Hamasi zhvilluan dje bisedime indirekte – për të diskutuar planin e paqes të presidentit të SHBA-së Donald Trump. Bisedimet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.
“Lufta ka shkaktuar vdekjen e mbi 67 000 palestinezëve”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, pjesë e qeverisë së drejtuar nga Hamasi.
Ofensiva e Izraelit ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë së Gazës – prej rreth 2 milionë banorësh – shpesh herë, kufizimet në ndihmën humanitare kanë kontribuar në një krizë të madhe urie, me ekspertët që thonë se Qyteti i Gazës po përjeton uri.
Ekspertët dhe grupet kryesore të të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Izraelin për gjenocid, dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale po kërkon arrestimin e Netanyahut dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, për përdorimin e urisë si metodë lufte.
Izraeli i ka mohuar akuzat, duke thënë se po zhvillon një luftë të ligjshme vetëmbrojtëse dhe po merr masa të jashtëzakonshme për të shmangur dëmtimin e civilëve.
Ai ka fajësuar Hamasin për vdekjen dhe shkatërrimin e Gazës sepse militantët janë të ngulitur thellë në zonat e populluara.
Hamasi e portretizoi sulmin e 7 tetorit – si një përgjigje ndaj konfiskimit të tokës izraelite, ndërtimit të vendbanimeve dhe pushtimit ushtarak. //a.i/