KOMENT – Marrëdhënia e re BM-BE një moment historik

BRUKSEL, 19 maj /ATSH-DPA/ – Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian nënshkruan sot një marrëveshje të re partneriteti pas muajsh negociatash intensive.
“Ky është një moment historik”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pasi u takua me kryeministrin britanik, Keir Starmer së bashku me presidentin e Këshillit Evropian António Costa në Londër.
“Po kthejmë një faqe. Po hapim një kapitull të ri në marrëdhënien tonë unike”, deklaroi Von der Leyen, pasi nënshkroi një marrëveshje në emër të 27 shteteve anëtare të BE-së për bashkëpunim më të ngushtë, duke përfshirë mbrojtjen dhe sigurinë, standardet ushqimore, peshkimin dhe energjinë si dhe migracionin e parregullt.
Marrëveshja vjen rreth pesë vjet pasi Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE.
Ndryshimet e shpejta gjeopolitike kanë ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënieve të tendosura, me të dyja palët që theksojnë angazhimin e tyre për të mbështetur Ukrainën dhe tregtinë e lirë.
“Në një kohë të paqëndrueshmërisë globale, dhe kur kontinenti ynë përballet me kërcënimin më të madh që ka pasur për breza, ne në Evropë qëndrojmë së bashku”, tha Von der Leyen.
“Një marrëdhënie e fortë BE-MB është me rëndësi themelore për këtë, për sigurinë tonë, për prosperitetin tonë, për fatin tonë të përbashkët në këtë kontinent”, shtoi ajo.
“Marrëdhënia jonë bazohet në vlera të përbashkëta, interesa të ndërsjella dhe në faktin e thjeshtë të afërsisë sonë gjeografike”, tha Costa pas takimit të samitit.
“Ne jemi fqinjë, aleatë, partnerë dhe jemi miq”, shtoi ai.
“Kjo shënon një epokë të re në marrëdhënien tonë. Kjo marrëveshje është një fitore për të dyja palët”, tha Starmer.
Starmer shpreson që afrimi i vendit të tij përsëri me BE-në, pa u bashkuar me tregun e vetëm ose bashkimin doganor të bllokut, do t’i shtojë 9,0 miliardë paund (12 miliardë dollarë) ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar deri në vitin 2040.
Sipas marrëveshjes, kompanitë britanike do të marrin pjesë në projekte të prokurimit të mbrojtjes të mbështetura nga BE.
Kjo përfshin projekte që do të financohen përmes një fondi prej 150 miliardë eurosh, i cili ende duhet të finalizohet dhe të krijohet nga blloku.
Të dy partnerët kanë rënë dakord të punojnë më ngushtë së bashku për mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Të dyja palët do t’i japin njëra-tjetrës akses të plotë reciprok në zonat e peshkimit për një periudhë prej 12 vitesh.
Rifitimi i kontrollit të ujërave të veta ishte një nga argumentet kryesore të paraqitura nga mbështetësit e Brexit.
Londra dëshiron të bashkëpunojë më mirë në standardet e sigurisë ushqimore për të thjeshtuar tregtinë dhe për të ulur çmimet në supermarketet britanike.
Marrëveshja e re e partneritetit synon ta bëjë udhëtimin dhe jetesën jashtë vendit më të lehtë për njerëzit në të dyja anët e La Manshit.
Pavarësisht se Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja premtojnë bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen, nuk ka plane që Britania të ribashkohet me bllokun.
“Ne nuk flasim për marrëdhënien tonë të mëparshme, por po punojmë për një marrëdhënie të re strategjike”, tha Costa.
“Ky është një kapitull i ri”, shtoi ai./ a.jor.