E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – Rusia sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës, ndërsa përpjekjet për paqe vazhdojnë

MOSKË, 21 gusht /ATSH/- Rusia lëshoi ​​574 dronë dhe 40 raketa balistike dhe kruiz gjatë natës, në një nga sulmet e saj më të mëdha ajrore ndaj Ukrainës të vitit, thane sot Forcat Ajrore Ukrainase, ndërsa një përpjekje e kohëve të fundit diplomatike për të ndaluar luftën 3-vjeçare po përpiqet të fitojë vrull, sipas AP.

Sulmi, kryesisht kishte në shënjestër rajonet perëndimore të vendit – ku besohet se është dorëzuar dhe ruajtur pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake të ofruar nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

“Sulmet vranë të paktën një person dhe plagosën 15 të tjerë”, sipas zyrtarëve.

“Ky ishte sulmi i tretë më i madh ajror i Rusisë këtë vit – për sa i përket numrit të dronëve të lëshuar dhe i teti më i madhi për sa i përket raketave”, sipas shifrave zyrtare ukrainase.

Shumica e sulmeve të tilla ruse kanë goditur zonat civile.

Sulmet ndodhën gjatë një përpjekjeje të ripërtërirë të udhëhequr nga SHBA-ja – për të arritur një zgjidhje paqeje pas pushtimit të fqinjit të saj nga Rusia në shkurt 2022.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, diskutoi luftën me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, javën e kaluar dhe në fillim të kësaj jave priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë.

Rusia ka sulmuar me gati 1,000 dronë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Ukrainës që nga bisedimet në Shtëpinë e Bardhë.

Rubio do të presë bisedimet e sigurisë së Ukrainës me Evropën

“Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të drejtojë sot një konferencë telefonike me këshilltarët e sigurisë kombëtare të vendeve evropiane që pritet të luajnë një rol në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën”, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Një nga kushtet e Kievit për nënshkrimin e çdo marrëveshjeje paqeje është marrja e garancive ushtarake të mbështetura nga Perëndimi – për të penguar Rusinë të kryejë një pushtim tjetër në vitet e ardhshme.

Ministri i Jashtëm, rus Sergey Lavrov tha dje se bërja e marrëveshjeve të sigurisë për Ukrainën pa përfshirjen e Moskës ishte e pakuptimtë.

Nuk ishte menjëherë e qartë se cilat vende do të përfaqësoheshin në telefonatën me Rubio.

Zelensky bën thirrje për më shumë presion mbi Moskën

Ukraina dhe udhëheqësit evropianë e kanë akuzuar Putinin për zvarritje të përpjekjeve të vazhdueshme për paqe, duke përfshirë propozimin e Ukrainës për një armëpushim dhe ofertën e Zelensky për t’u takuar me udhëheqësin rus.

Kremlini ka reaguar ftohtësisht ndaj këtyre mundësive.

Lavrov, diplomati më i lartë i Moskës, tha sot se Putin është gati të takohet me Zelensky – por vetëm pasi çështjet kryesore të jenë përpunuar më parë nga zyrtarët e lartë – në atë që mund të jetë një proces i gjatë negociues.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se sulmet kishin në shënjestër ndërmarrjet e kompleksit ushtarako-industrial ukrainas.

Ajo pretendoi se sulmi goditi fabrikat e dronëve, depot e magazinimit dhe vendet e lëshimit të raketave, si dhe zonat ku ishin mbledhur trupat ukrainase.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se sulmet e saj kanë synuar zonat civile të Ukrainës.

“Moska nuk ka treguar shenja të ndjekjes së negociatave kuptimplote për t’i dhënë fund luftës”, tha Zelensky.

Ai i kërkoi unionit ndërkombëtar të përgjigjej me presion më të fortë ndaj Moskës, duke përfshirë sanksione dhe tarifa më të ashpra.

Ndërkohë, Ukraina ka vazhduar sulmet e saj me dronë me rreze të gjatë veprimi të prodhuar në vend ndaj infrastrukturës së Rusisë – që mbështet përpjekjet e luftës së Moskës.

Ndër objektiva të tjerë, ajo ka goditur rafineritë e naftës, dhe çmimet me shumicë të benzinës ruse kanë arritur nivele rekord në ditët e fundit.

Goditje në fabrikën e elektronikës amerikane

Pothuajse të gjitha raketat e lëshuara gjatë natës u lëshuan nga brenda Rusisë.

Ato arritën thellë në Ukrainën perëndimore, pranë kufirit me Hungarinë.

Pjesët perëndimore të Ukrainës janë larg vijës së frontit të fushëbetejës në lindje dhe jug të vendit, ku një luftë e ashpër rraskapitëse ka vrarë dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja palët.

“Në qytetin perëndimor të Lvivit, një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën ndërsa sulmi dëmtoi 26 ndërtesa banimi, një kopsht fëmijësh dhe ndërtesa administrative”, shkroi kreu rajonal Maksym Kozytskyi në Telegram.

Zyra e Prokurorit Rajonal tha se tre raketa ruse me municione thërrmuese kishin goditur qytetin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›