XHAKARTË – Wadephul i bën thirrje Kinës të shtojë presionin ndaj Putinit

XHAKARTË, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i ka bërë thirrje Kinës të ushtrojë më shumë presion ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për të pranuar një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.
“Kina duhet të kuptojë më në fund se duhet të luajë një rol aktiv në përfundimin e këtij konflikti”, tha sot Wadephul pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të ASEAN-it, grupit prej 10 shtetesh të Azisë Juglindore.
“Për fat të keq, Kina nuk e ka bërë këtë deri tani, edhe pse i është kërkuar në disa raste”, shtoi ministri i Jashtëm gjerman,
Ai i bëri thirrje Pekinit të “marrë një rol aktiv për t’i dhënë fund këtij konflikti dhe të ushtrojë presion politik, por edhe ekonomik mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave”.
“Deri tani kemi parë që Rusia shmanget, nëse i hedh një sy deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov”, tha Wadephul. “Por nëse Kina e ndryshon këtë strategji – dhe siç e dimë, kurrë nuk është vonë për këtë – atëherë mund ta imagjinoj një rol konstruktiv të saj në të ardhmen”, theksoi ai. /Ad.Ab./