KOMENT – SHBA-ja dhe Irani drejt fazës vendimtare, 60 ditë për të zgjidhur çështjet kryesore

TEHERAN, 16 qershor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani pritet të hyjnë menjëherë në një raund të ri negociatash, pas nënshkrimit të marrëveshjes paraprake të premten në Zvicër, deklaroi sot ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
Sipas tij, bisedimet synojnë t’i japin fund luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli, në fund të shkurtit, të cilat duhet të përmbyllen brenda 60 ditësh.
Marrëveshja kornizë, e arritur të dielën mes Teheranit dhe Uashingtonit, parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë, në mënyrë që të krijohet hapësirë për negociatat.
Përfaqësues të lartë të të dy vendeve, pritet të takohen të premten në Gjenevë, për nënshkrimin formal të dokumentit, i cili sipas SHBA-së është miratuar tashmë edhe në formë digjitale.
Sipas agjencisë “Tasnim”, Araghchi tha se në fokus të fazës së parë, ishin përfundimi i luftës, rihapja e Ngushticës së Hormuzit, lirimi i aseteve të ngrira iraniane dhe procesi i rindërtimit.
Sipas raportimeve, po diskutohet edhe një fond rindërtimi me vlerë rreth 300 miliardë dollarësh.
Zëvendëspresidenti JD Vance tha për CNN, se do të ketë një lehtësim të mundshëm të sanksioneve, ndërsa e përshkroi marrëveshjen, si një dokument shumë të përgjithshëm.
“Është rreth një faqe e gjysmë”, tha ai, duke shtuar se detajet do të përcaktohen në fazën teknike të negociatave.
Presidenti amerikan, Donald Trump konfirmoi se Vance do të udhëtojë drejt Zvicrës për nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes.
Megjithatë, shumë vëzhgues e shohin marrevëshjen kornizë, vetëm si një hap të ndërmjetëm, ndërsa çështjet kryesore mbeten ende të pazgjidhura.
Araghchi theksoi gjithashtu se, çdo marrëveshje do të kërkojë përfundimin e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, duke paralajmëruar se çdo sulm i ri izraelit apo vazhdim i pranisë ushtarake, do të konsiderohej një shkelje e marrëveshjes.
Nga ana tjetër, Izraeli deklaroi se forcat e tij do të mbeten në të ashtuquajturën “zonë sigurie” në jug të Libanit, për të mbrojtur territorin e tij nga sulmet e mëtejshme.
Në sfond mbeten edhe pyetjet për programin bërthamor iranian. Afati 60-ditor shihet si i ngushtë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, krahasuar me negociatat e vitit 2015, që zgjatën pothuajse dy vjet.
Sipas zëvendëspresidentit Vance, marrëveshja parashikon rikthimin e inspektorëve ndërkombëtarë në Iran dhe bashkëpunim mes Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), SHBA-së dhe Teheranit, për çmontimin e rezervave të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë. //a.i/