E Martë, 3 Nëntor 2026

KOMENT – Sanchez i qëndron besnik vendimit për t’u përjashtuar nga shpenzimet e NATO-s, pavarësisht kërcënimeve të Trump

MADRID, 26 qershor /ATSH/- Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u largua nga samiti i NATO-s i kësaj jave me një përjashtim nga shpenzimet më të mëdha për mbrojtjen. Ai gjithashtu u largua me kërcënime për tarifa të reja nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sipas AP.

Udhëheqësi progresiv spanjoll i ka qëndruar vendimit te tij për t’u përjashtuar nga shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s.

Në një reagim ndaj deklaratës së Trump, kryeministri spanjoll Sanchez theksoi se ishte Komisioni Evropian – dhe jo Spanja – që vendoste për politikën tregtare të bllokut.

“Ajo që është e qartë është se politika tregtare është një politikë e drejtuar nga këtu, nga Brukseli”, tha Sanchez.

“Spanja është një vend i hapur. Është një vend miqësor me miqtë e saj dhe ne e konsiderojmë SHBA-në një vend mik të Spanjës”, tha ai.

Në samitin e aleancës ushtarake, anëtarët ranë dakord për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së.

Por, Sanchez njoftoi një përjashtim në minutën e fundit, duke thënë se Spanja do të shpenzonte vetëm deri në 2,1%, të cilën ai e quajti të mjaftueshme dhe realiste.

“Ata duan më shumë avantazhe, por do të duhet të na e shlyejnë atë në tregti sepse unë nuk do ta lejoj këtë të ndodhë. Është e padrejtë”, tha presidenti Trump duke kritikuar Spanjën pas samitit.

“Nuk është gjithmonë e lehtë të interpretosh saktësisht se çfarë do të thotë Trump”, u tha kryeministri belg, Bart De Wever gazetarëve në samitin e BE-së.

“Mënyra se si ai dëshiron të vendosë tarifa importi ndaj Spanjës veçmas është një mister për të gjithë. A mund të prekë kjo produkte specifike nga Spanja? Do të duhet të presim dhe të shohim”, tha ai.

Lëvizja e Spanjës në skenën ndërkombëtare vjen në një moment kompleks për Sanchez – pasi rastet e korrupsionit që përfshijnë rrethin e tij të ngushtë kanë zënë në kurth partinë e tij Socialiste dhe kanë rezultuar në thirrje më të forta – madje edhe nga disa aleatë të majtë – për të shpallur zgjedhje të parakohshme. Deri më tani, Sanchez ka refuzuar.

“Ndërsa Spanja është nën ombrellën e Bashkimit Evropian – i cili negocion marrëveshje tregtare në emër të të 27 vendeve anëtare – ajo ende mund të jetë në shënjestër të tarifave që godasin industritë e saj më të cenueshme”, tha Antonio Garamendi, president i Konfederatës Spanjolle të Organizatave të Biznesit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›