E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – Tregjet globale nën presion, pasi nafta kalon kufirin e 120 dollarëve për fuçi

HONG KONG, 30 prill /ATSH/ – Çmimi i naftës “Brent” u rrit sot ndjeshëm duke kaluar përkohësisht mbi 126 dollarë për fuçi, ndërsa tensionet gjeopolitike mes SHBA-së dhe Iranit kanë rritur pasigurinë në tregjet ndërkombëtar, sipas AP.

Rritja e fortë e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me dështimin e bisedimeve mes dy vendeve dhe mungesën e një perspektive të qartë për përfundimin e konfliktit.

Kontratat për dorëzim në qershor të “Brent” u rritën me 3,3% duke arritur në 121,90 dollarë për fuçi, pasi më herët prekën edhe nivelin mbi 126 dollarë.

Ndërkohë, kontratat për korrikun u rritën me 1,4% në 112,02 dollarë. Edhe nafta amerikane shënoi rritje, me një avancim prej 1,3% në 108.28 dollarë për fuçi, duke reflektuar tensionin në furnizimin global.

Para shpërthimit të konfliktit në fund të shkurtit, “Brent” tregtohej rreth 70 dollarë për fuçi, çka tregon për një rritje drastike të çmimeve në një periudhë relativisht të shkurtër. Analistët theksojnë se tregjet janë shumë të ndjeshme ndaj çdo zhvillimi në rajon, duke qenë se furnizimi global me energji varet ndjeshëm nga stabiliteti në Lindjen e Mesme.

Përshkallëzimi i tensioneve lidhet me bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane dhe mbylljen e Nguishticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës në botë.

Kjo situatë ka reduktuar pritshmëritë për rifillimin e shpejtë të furnizimeve me naftë.

Deklaratat që sugjerojnë mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm nga presidenti amerikan Donald Trump kanë shtuar pasigurinë në tregje, duke dobësuar shpresat për një marrëveshje të afërt.

Analistët paralajmërojnë se mungesa e një zgjidhjeje do të mbajë çmimet e energjisë në nivele të larta.

Në tregjet financiare, luhatjet vazhduan me aksionet globale që u paraqitën të përziera.

Dollari amerikan u forcua kundrejt disa valutave kryesore për shkak të rolit të tij si aset i sigurt në kohë krizash, ndërsa euro dhe jeni shënuan lëvizje të moderuara.

Ndërkohë, bursat në Azi dhe Evropë regjistruan rënie të pjesshme, duke reflektuar ndikimin e krizës energjetike dhe pasigurinë gjeopolitike.

Investitorët mbeten të kujdesshëm, ndërsa zhvillimet në konfliktin SHBA–Iran pritet të vazhdojnë të ndikojnë fuqishëm tregjet globale./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›