E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – Trump vlerëson arritjet e administratës: SHBA-ja më e pasur dhe më e fortë

UASHINGTON, 25 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan, Donald Trump mbrojti politikat e tij të ashpra të migracionit, tarifat e gjera ndaj partnerëve tregtarë dhe theksoi se SHBA-ja ishte “më e madhe, më e pasur dhe më e fortë”, në fjalimin e tij vjetor para Kongresit, dje në mbrëmje në Kapitol.

Një vit pasi mori mandatin e tij të dytë, dhe me zgjedhjet vendimtare të mesmandatit të caktuara në nëntor, Trump vlerësoi arritjet e administratës së tij në politikën e brendshme, ndërsa politika e jashtme – përfshirë luftën në Ukrainë – kryesisht kaloi në plan të dytë.

Fjalimi i 79-vjeçarit në Kapitol zgjati afërsisht një orë e 48 minuta, më i gjati që nga viti 1964.

Trump përmend një “Epokë të Artë” për SHBA-në

Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po lulëzojnë nën udhëheqjen e tij. “Kombi ynë është rikthyer më i madh, më i pasur dhe më i fortë se kurrë më parë”, tha ai.

“Kjo është “Epoka e Artë” e Amerikës”, theksoi presidenti Trump.

“Ekonomia po lulëzon si kurrë më parë”, shtoi ai.

Duke e kthyer vëmendjen te kundërshtarët politikë, ai fajësoi demokratët për koston e lartë të jetesës.

“Politikat tuaja kanë shkaktuar rritjen e çmimeve”, tha ai.

Trump, i cili dikur i kishte hedhur poshtë shqetësimet për inflacionin si një “mashtrim demokrat”, u përpoq të fitojë pikë politike për përballueshmërinë përpara zgjedhjeve të mesmandatit.

Në përgjigjen zyrtare të demokratëve pas fjalimit të Trump, guvernatorja Abigail Spanberger kundërshtoi pretendimet e tij, duke thënë se kostot ishin shumë të larta për strehimin, kujdesin shëndetësor, energjinë dhe kujdesin për fëmijët – duke iu referuar gjithashtu kostos së “politikave të pamatura tregtare” të Trump.

Sfida ndaj Gjykatës së Lartë

Një shtyllë qendrore e fjalimit ishte mbrojtja e axhendës së tij agresive tregtare, përfshirë kritikën e ashpër ndaj Gjykatës së Lartë të SHBA-së.

Në praninë e katër gjyqtarëve, Trump kritikoi vendimin e fundit, që rrëzoi politikat e tij kryesore të tarifave, të cilat ishin zbatuar sipas ligjit të emergjencës pa miratimin e Kongresit.

Vendimi çoi në pasiguri të madhe për bizneset që importojnë në SHBA, si dhe për qeveritë, disa prej të cilave – si BE-ja – negociuan marrëveshje të veçanta tregtare me Uashingtonin.

Duke e quajtur vendimin “fatkeq” dhe “zhgënjyes”, Trump promovoi tarifat e tij të reja globale të shpallura sipas Nenit 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974.

“Ato janë pak më komplekse, por në fakt ndoshta janë më të mira”, tha Trump, duke shtuar se nuk do të ishte i nevojshëm vendimi i Kongresit.

Sipas këtij akti, presidenti mund të vendosë masa tregtare për të adresuar problemet e bilancit të pagesave për 150 ditë, përpara se të kërkohet një votim nga Kongresi.

Përplasje mbi imigracionin dhe sigurinë

Fjalimi u shënua nga një tension i lartë dhe ndërhyrje nga kampi demokrat. Goditja e ashpër e Trump ndaj imigracionit, e karakterizuar nga bastisje brutale të kryera nga agjencia e Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE), ka nxitur protesta masive në qytete si Mineapolis.

“Detyra e parë e qeverisë amerikane është të mbrojë qytetarët amerikanë, jo të huajt e paligjshëm”, tha presidenti republikan.

“Po vrisni amerikanë”, tha gjatë fjalimit, përfaqësuesja demokrate, Ilhan Omar nga Minesota – duke iu referuar dy qytetarëve të vrarë gjatë veprimeve të fundit të zbatimit të ligjit.

Trump iu përgjigj ndërhyrjeve, duke u thënë demokratëve “duhet të turpëroheni që nuk po ngriheni në këmbë”.

Ai gjithashtu bëri thirrje për miratimin e një projektligji për reformë zgjedhore të udhëhequr nga republikanët, i cili do t’u kërkonte qytetarëve të provonin shtetësinë amerikane kur regjistrohen për të votuar.

Guvernatorja Abigail Spanberger tha në përgjigjen e saj zyrtare: “Sistemi ynë i prishur i imigracionit është diçka që duhet rregulluar, jo një justifikim për agjentë të pakontrolluar që terrorizojnë komunitetet tona”.

Trump rrit presionin ndaj Iranit

Përsa i përket çështjeve ndërkombëtare, Trump lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Teheranit, duke u zotuar se kurrë nuk do të lejonte sponsorizuesin numër një të terrorit në botë, të siguronte armë bërthamore.

Ndërsa shprehu një preferencë për diplomacinë, presidenti theksoi se nuk kishte marrë asnjë angazhim nga Irani për të hequr dorë nga programi i tij.

Paralajmërimi vjen pas një rritjeje të konsiderueshme të pranisë ushtarake amerikane në rajon, pas luftës 12-ditore të qershorit të kaluar, mes Izraelit dhe Iranit.

Ndërsa SHBA-ja përgatitet të festojë 250-vjetorin e pavarësisë këtë korrik, fjalimi i Trump sinjalizoi një rrugë përballëse përpara, për një presidencë që aktualisht përballet me pengesa ligjore dhe rënie të mbështetjes në sondazhe. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›