E Diel, 1 Nëntor 2026

PEKIN – Merz synon forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike me Kinën

PEKIN, 25 shkurt /ATSH-DPA/- Gjermania synon të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike me Kinën, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz – duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në një kohë kur tensionet globale mbeten të larta.

Në nisje të vizitës së tij të parë dyditore në Kinë si kancelar, Merz u takua me kryeministrin kinez Li Qiang, në Pekin – ku vuri theksin te rëndësia e thellimit të bashkëpunimit në nivel evropian.

“Ndajmë përgjegjësi në botë dhe duhet ta përmbushim atë së bashku”, tha ai, duke nënvizuar se ekzistonte një potencial i madh për rritje të mëtejshme ekonomike, nga të dyja palët.

Li e cilësoi marrëdhënien me Berlinin si “të qëndrueshme”, ndërsa paralajmëroi për ndryshime në situatën ndërkombëtare dhe rritjen e unilateralizmit e proteksionizmit në disa vende dhe rajone, duke bërë thirrje për mbrojtjen e multilateralizmit dhe tregtisë së lirë.

Gjatë takimit u nënshkruan pesë marrëveshje ndërqeveritare, përfshirë bashkëpunimin në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe sëmundjeve të kafshëve, si edhe marrëveshje mes federatave të futbollit dhe pingpongut të dy vendeve. Merz u prit me nderime ushtarake në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.

Konkurrenca e ndershme dhe siguria në fokus

Më vonë, Merz pritet të zhvillojë bisedime me presidentin kinez Xi Jinping, ku në qendër të diskutimeve do të jenë bashkëpunimi ekonomik dhe çështjet e sigurisë, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë.

Kina konsiderohet një aleate kyçe e presidentit rus Vladimir Putin.

Në axhendë pritet të dominojnë shqetësimet për konkurrencën e ndershme.

Bizneset gjermane i kanë kërkuar Merz, të diskutojë çështje si mbikapacitetet industriale dhe kufizimet e eksportit për lëndët e para të rëndësishme. Në vitin 2025, Kina tejkaloi SHBA-në si partneri kryesor tregtar i Gjermanisë.

Prodhuesit gjermanë të automjeteve ankohen prej kohësh për konkurrencën e ashpër nga kompanitë kineze, të mbështetura nga subvencione shtetërore dhe aksesin e pabarabartë në treg.

Kufizimet e vendosura vitin e kaluar për eksportin e tokave të rralla – thelbësore për prodhimin e telefonave celularë dhe motorëve elektrikë – kanë shtuar tensionet mes Berlinit dhe Pekinit.

Merz shoqërohet nga një delegacion i nivelit të lartë biznesi dhe do të vizitojë edhe qytetin jugor të Hangzhou.

Para nisjes, ai theksoi se shkëputja nga Kina do të ishte një gabim strategjik.

“Do të ishte si të qëllonim veten në këmbë”, tha ai, duke paralajmëruar se një hap i tillë do të dëmtonte mundësitë ekonomike të Gjermanisë, pa e bërë botën më të sigurt.

Ukraina dhe roli i Pekinit

Gjermania ka kritikuar prej kohësh qëndrimin zyrtarisht neutral të Pekinit ndaj luftës në Ukrainë.

Merz shpreson të bindë Xi, për të mbështetur negociatat për përfundimin e konfliktit.

“Nëse Xi Jinping do t’i thoshte Putinit nesër të ndalonte, ai do ta ndalte pasnesër”, deklaroi Merz në një konferencë editoriale të organizuar nga agjencia gjermane e lajmeve.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme kineze theksoi se lufta në Ukrainë nuk duhej të dëmtonte marrëdhëniet mes Evropës dhe Kinës dhe se Pekini mbështeste përpjekjet diplomatike për një zgjidhje politike.

Vizita e Merz vjen pas një udhëtimi në Indi në janar, duke sinjalizuar përpjekjet e Berlinit për të diversifikuar aleancat në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman theksoi fundin e rendit të vjetër ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke kritikuar gjithashtu Pekinin se “po shfrytëzon sistematikisht varësitë e të tjerëve”.

Megjithatë, Merz tha se në Pekini po synonte “diskutime të hapura”, për të kuptuar më mirë qëndrimet e presidentit kinez dhe për të shpjeguar pozicionin e Gjermanisë dhe Evropës lidhur me zhvillimet globale. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›