KIEV – Von der Leyen: BE do t’i japë Ukrainës kredinë 90 miliardë euro në një mënyrë ose në një tjetër

KIEV, 24 shkurt /ATSH-AFP/ – Bashkimi Evropian do t’ia japë Ukrainës kredinë prej 90 miliardë eurosh në një mënyrë ose në një tjetër, pavarësisht bllokimit të Budapestit, siguroi sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Kiev.
“Ne do ta respektojmë angazhimin tonë në lidhje me këtë kredi, në një mënyrë ose në një tjetër”, këmbënguli Von der Leyen në një konferencë shtypi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Kemi disa mundësi. Dhe do t’i përdorim ato”, theksoi komisionerja, e cila ndodhet në Kiev për të demonstruar mbështetjen evropiane për Ukrainën në përvjetorin e katërt të pushtimit rus të vendit.
Kryeministri hungarez Viktor Orban, një aleat i ngushtë i Vladimir Putin, ka njoftuar qëllimin e tij për të bllokuar kredinë nëse Kievi nuk rikthen furnizimet me naftë ruse përmes tubacionit ”Druzhba”.
“Kjo kredi u miratua nga 27 krerët e shteteve dhe qeverive në Këshillin Evropian. Ata e dhanë fjalën e tyre. Kjo fjalë nuk mund të shkelet”, shtoi Ursula von der Leyen.
“I bëj thirrje Hungarisë të bashkëpunojë në zbatimin e vendimit të marrë nga Këshilli Evropian lidhur me kredinë në dhjetor”, tha presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa duke qëndruar pranë saj.
“Ndërkohë, i bëj thirrje Komisionit të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të kapërcyer këtë situatë dhe për të parandaluar këdo që të shantazhojë BE-në”, shtoi ai.
Krahas tij, presidenti ukrainas i bëri thirrje Budapestit të ngrejë çështjen me Moskën, e cila tha se e kishte bombarduar tubacionin disa herë si pjesë e sulmeve të saj në infrastrukturën energjetike të Ukrainës./ a.jor.