KOMENT – Vizita e Modit në Izrael teston prioritetet e Indisë në Lindjen e Mesme

TEL AVIV, 25 shkurt /ATSH/- Kryeministri indian, Narendra Modi ka mbërritur sot në Israel për një vizitë dyditore, udhëtimi i tij që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës, sipas BBC.
Modi pritet t’i drejtohet parlamentit izraelit, “Knesset”, dhe të zhvillojë takime me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe presidentin Isaac Herzog.
Në axhendën e tij nuk është parashikuar asnjë takim me udhëheqës palestinezë.
Vizita vjen në një kohë kur të dy vendet synojnë të forcojnë lidhjet në mbrojtje, teknologji dhe tregti – një marrëdhënie që është thelluar ndjeshëm që kur Modi erdhi në pushtet më shumë se një dekadë më parë.
Megjithatë, analistët thonë se kjo vizitë do të vërë në provë edhe politikën e jashtme të Indisë, ndërsa përpiqet të balancojë marrëdhëniet me Izraelin dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme.
Në vitin 2017, Modi u bë kryeministri i parë indian që vizitoi Izraelin.
Udhëtimi u pa gjerësisht si një pikë kthese në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Të dy shtetet bashkëpunojnë ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe në fushën e mbrojtjes.
India është gjithashtu ndër blerësit më të mëdhenj të armëve izraelite.
Netanyahu e ka cilësuar vizitën e Modit si “historike”.
“Lidhja mes Izraelit dhe Indisë është një aleancë e fuqishme mes dy liderëve globalë. Ne jemi partnerë në inovacion, siguri dhe kemi një vizion të përbashkët strategjik. Së bashku po ndërtojmë një bosht kombesh të përkushtuara ndaj stabilitetit dhe progresit,” shkroi Netanyahu në X.
“India e vlerëson thellësisht miqësinë e qëndrueshme me Izraelin, të ndërtuar mbi besim, inovacion dhe një angazhim të përbashkët për paqe dhe përparim”, u përgjigj Modi.
“India kërkon të tregojë se mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit me Izraelin – duke u përpjekur njëkohësisht të balancojë prioritetet e saj në Lindjen e Mesme”, tha eksperti i Punëve të Jashtme, Harsh V Pant.
India ka dënuar sulmet vdekjeprurëse të 7 tetorit të udhëhequra nga Hamas dhe ka shprehur solidaritet me Izraelin, duke shprehur njëkohësisht shqetësim për viktimat civile në Gaza dhe duke ritheksuar mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete.
Vizita zhvillohet në një moment tensionesh të shtuara rajonale.
Një shqetësim kyç është kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump për veprim ushtarak kundër Iranit dhe frika se çdo përshkallëzim mund të shkaktojë një konflikt më të gjerë rajonal.
SHBA-ja ka forcuar praninë e tyre në rajon javët e fundit, duke shënuar një nga grumbullimet më të mëdha ushtarake amerikane në dekada, për të ushtruar presion mbi Iranin që të frenojë programin e tij bërthamor.
Megjithatë, analistët thonë se fokusi i vizitës së Modit do të jetë qartësisht te angazhimi dypalësh, ndërsa çdo diskutim mbi tensionet rajonale ka të ngjarë të mbetet pas dyerve të mbyllura.
Kjo është në përputhje me pritshmëritë, pasi Nju Delhi mban gjithashtu lidhje të forta me Iranin dhe disa vende të tjera të Lindjes së Mesme.
“India e njohu Palestinën në vitin 1988. Politikisht, ajo që mund të bëhej është bërë në masë të madhe… Sipas qëndrimit të kahershëm të Indisë, konfliktet rajonale duhet të zgjidhen nga vetë rajoni,” tha Kabir Taneja, drejtor ekzekutiv i zyrës për Lindjen e Mesme në “Observer Research Foundation”.
“Ashtu si India nuk pret ndërhyrje të jashtme në çështjet e saj, ajo zbaton të njëjtin parim edhe për Lindjen e Mesme”, shtoi ai.
Me mbërritjen në Izrael, Modi u prit nga Netanyahu në aeroportin “Ben Gurion Airport”.
Dy liderët do të zhvillojnë bisedime brenda ambienteve të aeroportit përpara se të nisen drejt Jeruzalem, ku do të zhvillohen pjesa tjetër e angazhimeve të Modit. //a.i/