Kumbaro: Pushohet nga puna mësuesja në Kamzë, për shkelje profesionale dhe etike

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi sot se pas videos së transmetuar në një emision investigativ mbi rastin e shkeljes së rëndë profesionale dhe etike nga ana e një mësueseje në një shkollë në Kamzë, kjo e fundit është pushuar nga puna.
Kumbaro tha se “pas tronditjes që kemi pësuar të gjithë nga pamjet e lidhura me një episod shumë të dënueshëm në një nga shkollat e bashkisë Kamzë ku një person në xhaketën e mësuesit ka ushtruar dhunë mbi fëmijët e klasës së saj dua të njoftoj të gjithë mësuesit dhe prindërit se Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë, ka ngritur menjëherë grupin e punës për të ndjekur situatën nga afër dhe realizuar takime me drejtues të shkollës, psikologë e prindërit e nxënësve të përfshirë në videon e transmetuar”.
Ministrja Kumbaro tha se “me vendim të datës 25 shkurt 2026, janë ndërprerë menjëherë marrëdhëniet e punës me mësuesen. Sipas Urdhrit nr.31, datë 28.01.2020, lidhur me trajtimin e sjelljeve të dhunshme të mësuesve ndaj nxënësve, janë njoftuar Policia e Shtetit për ndjekjen e procedurave përkatëse si dhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve për të vlerësuar çdo indikator të mundshëm të një situate risku për fëmijët”.
Sipas saj, ky proces synon të garantojë transparencë të plotë dhe reagim të menjëhershëm institucional ndaj çdo situate që lidhet me sigurinë, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në institucionet arsimore.
“Grupi i punës vijon me procesin e mbledhjes dhe verifikimit të të dhënave, në përfundim të të cilit do të hartohet një raport i detajuar për përgjegjësitë e të gjitha hallkave”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë”.
Në videon e transmetuar nga emisioni investigativ mësuesja përdor dhunë dhe gjuhë fyese ndaj nxënësve.
/k.s/a.f/