KOPENHAGË – Zelensky në vizitë të papritur në Danimarkë

KOPENHAGË, 3 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një vizitë të papritur në Danimarkë.
Komisioni Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, po viziton aktualisht qytetin e dytë më të madh të vendit – për të inauguruar së bashku presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së të Danimarkës me qeverinë daneze.
“Zelensky ka planifikuar një takim me mbretin danez Frederik X”, sipas informacionit nga zyra e kryeministres Mette Frederiksen.
Gjatë takimit me kryeministren, Frederiksen, shefen e BE-së, Von der Leyen dhe presidentin e Këshillit të BE-së, Antonio Costa, diskutimet pritet të përqendrohen në mbështetjen për Ukrainën, e cila po mbrohet nga pushtimi rus në shkallë të plotë.
Pritet gjithashtu të diskutohet një rrugë e mundshme drejt anëtarësimit në BE.
“Ukraina i përket BE-së, gjë që është në interes si të Danimarkës ashtu edhe të Evropës”, tha Frederiksen më herët.
Takimi do të trajtojë gjithashtu rritjen e mbështetjes ushtarake për vendin, bashkëpunimin me industrinë mbrojtëse ukrainase dhe sanksionet e reja ndaj Rusisë.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, njoftoi një ditë më parë se kompanitë ukrainase të mbrojtjes së shpejti do të prodhonin armë dhe municione në Danimarkë.
Ai tha se diskutimet për këtë çështje po zhvillohen aktualisht me qeverinë ukrainase.
Danimarka mori presidencën e rradhës të BE-së nga Polonia në fillim të muajit.
Nën moton “Një Evropë e fortë në një botë në ndryshim”, fqinji verior i Gjermanisë synon të përqendrohet kryesisht në çështjet e sigurisë dhe konkurrueshmërinë e BE-së gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. //a.i/