KORE E JUGUT – Presidenti Lee Jae Myung do të vizitojë Uashingtonin

SEUL, 12 gusht /ATSH/ – Presidenti i ri i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, do të udhëtojë në Uashington këtë muaj për t’u takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, për bisedime mbi tregtinë dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, njoftoi sot zyra e e Lee-t, sipas AP-së.
Samiti mes dy liderëve më 25 gusht do të pasojë një marrëveshje tregtare, për të cilën Uashingtoni ra dakord të ulë tarifën reciproke për Korenë e Jugut në 15% nga 25% e propozuar fillimisht dhe të zbatojë të njëjtin nivel të ulur edhe për makinat koreano-jugore, eksporti kryesor i vendit drejt SHBA-ve.
Koreja e Jugut gjithashtu u zotua të blejë 100 miliardë dollarë energji nga SHBA-ja dhe të investojë 350 miliardë dollarë në vend. Lee dhe Trump priten të diskutojnë se si do të strukturohet dhe menaxhohet ky paketë investimesh. Bisedimet pritet të përfshijnë edhe zgjerimin e bashkëpunimit në industri kyçe si gjysmëpërçuesit, bateritë dhe ndërtimi i anijeve, tha Kang Yu-jung, zëdhënësja e presidentit Lee .
Lee, një liberal që fitoi zgjedhjet e parakohshme në qershor për të zëvendësuar konservatorin e rrëzuar Yoon Suk Yeol, e ka vendosur ekonominë si prioritet kryesor, duke synuar të mbrojë vendin e varur nga tregtia ndaj goditjeve të rritjeve të tarifave të presidentit Trump dhe kërkesave të tij që aleatët të reduktojnë varësinë nga SHBA –ja dhe të mbulojnë më shumë kostot e mbrojtjes.
Lee dhe Trump do të diskutojnë forcimin e qëndrimit të përbashkët mbrojtës ndaj kërcënimeve gjithnjë e më të mëdha nga Koreja e Veriut, si dhe zhvillimin e partneritetit në një “aleancë gjithëpërfshirëse strategjike të orientuar drejt së ardhmes” për t’iu përgjigjur ndryshimeve në mjedisin ndërkombëtar të sigurisë dhe ekonomisë, sipas Kang, e cila nuk dha detaje të tjera mbi çështjet specifike që do të trajtohen. /Ad.Ab./