KPA rikthen në detyrë prokurorin e Tiranës, Milan Laskaj

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Kolegji i Pavarur i Apelimit ka rikthyer në detyrë prokurorin e Tiranës, Milan Laskaj, i cili ishte shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtare, shpalli sot vendimin për çështjen që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Milan Laskaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të 27 marsit 2024.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, në mënyrë unanime, vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Milan Laskaj.
Prokurori Milan Laskaj e ka nisur detyrën në drejtësi gjatë viteve 2000, duke shërbyer si prokuror në Prokurorinë e Tropojës
Ai ka punuar më pas në Prokuroritë e Elbasanit dhe Lezhës, përpara se të transferohej në Prokurorinë e kryeqytetit.
Prokurori i Tiranës, Milan Laskaj, u shkarkua nga detyra më 27 mars 2024 prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për fshehje të pasurisë.
/gj.m/j.p/