E Hënë, 2 Nëntor 2026

KPA shkarkon prokuroren e Tiranës Mirela Zavalani

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës, Mirela Zavalani, për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe për cenim të besimit të publikut.

Vendimi u mor sot, pas ankimit të Komisionerit Publik (KP) kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, marrë më datë 15 qershor 2023.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, më datë 16 tetor, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Adnan Xholi deklaroi se, gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit, Mirela Zavalani, nuk arriti të provojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë.

Sipas Xholit, deklarimet e Zavalanit janë të paqarta e të pasakta në raport me aktet në dosje, duke bërë deklarimin e saj të pabesueshëm dhe kontradiktor. Përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme i kërkoi Kolegjit që disa transaksione bankare të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit t’i vlerësojë në kuadër të cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Xholi kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit marrë në datën 15 qershor 2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Ndërkohë gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Zavalani, paraqiti në mënyrë të detajuar shpjegimet e saj lidhur me ankimin, duke deklaruar se u provua ligjshmëria e burimit të krijimit të pasurisë së saj, se diferencat minimale të konstatuara nuk kanë peshë të atillë, që do të mund të cenonte besueshmërinë e saj financiare dhe nuk lënë shkak për masën disiplinore të shkarkimit.

Përfundimisht, Zavalani i kërkoi Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Avokatja e Zavalanit vlerësoi shkakun ankimor të lidhur me cenimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë, të pambështetur në bazën ligjore përkatëse dhe si një shkak ankimi të rënë në dekadencë, pasi duhet të ishte paraqitur gjatë fazës së debatit gjyqësor.

Në përfundim, trupi gjykues ndryshoi vendimin e KLP-së, dhe shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës Mirela Zavalani.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›