Kreu i KLGJ-së takim me Prodën dhe Çelën: Veprime konkrete për rritjen e sigurisë në gjykata

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor u zhvillua sot një takim mes kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor Ilir Rusi, Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i çështjeve që lidhen me sigurinë në ambientet e gjykatave në vend.
KLGJ njoftoi se të pranishmit u dakordësuan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për rritjen e sigurisë në institucionet gjyqësore.
Gjithashtu, sipas KLGJ-së, drejtuesit e institucioneve theksuan nevojën për ndryshime ligjore në aktet që rregullojnë aspektet e sigurisë në gjykata, në mënyrë që të sigurohet një qasje më e qëndrueshme dhe efektive në këtë drejtim.
“Ky takim shënon fillimin e një bashkëpunimi të strukturuar që do të vijojë me hapa konkretë për forcimin e masave të sigurisë në gjykata dhe mbrojtjen e integritetit të sistemit gjyqësor”, nënvizoi KLGJ.
Çështja për shtimin e masave dhe rritje e sigurisë në gjykata u ngrit pas vrasjes më 6 tetor në sallën e gjyqit, të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, teksa ishte në krye të detyrës.
/j.p/r.e/