KQZ: Deri në orën 19:00 kanë votuar 39.07 për qind e qytetarëve

PRISHTINË, 12 tetor/ATSH/ Kryesuesi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se deri në orën 19:00, sipas të dhënave nga rreth 95 për qind e vendvotimeve, kanë votuar 39.07 për qind e qytetarëve.
Në konferencë për media, ai tha se në shumë vendvotimeve ka nisur numërimi i fletëvotimeve.
Nga komunikimet dhe raportimet nga terreni, Radoniqi shtoi se procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në mënyrë të qetë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore.
“Janë evidentuar disa probleme të natyrës teknike, por ato janë adresuar me efikasitet përmes ndërhyrjes së shpejt nën koordinimin e drejtpërdrejt të KQZ- së duke mundësuar vijimin e votimit pa ndërprerje në funksionimin e qendrave të votimit”, shtoi Radoniqi.
Ai tha se procesi i numërimit do të zhvillohet në dy etapa, fillimisht do të numërohen votat për kandidatët për kryetarë të komunave, pas përfundimit të kësaj faze do të vazhdohet me numërimin e votave për subjekte politike që garuan në zgjedhjet për kuvende komunale.
Nga ora 19:00 ka filluar afati 48-orësh për paraqitje të ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).