E Martë, 3 Nëntor 2026

KQZ i jep mandatin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” Kleana Xhuvelit

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vendosi sot që mandati i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” nga zgjedhjet e 11 majit t’i kalojë Kleana Xhuvelit, e katërta në listën e mbyllur.

Në këtë mënyrë, KQZ i ka dhënë zgjidhje përplasjes publike mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin e fituar më 11 maj në qarkun e Tiranës.

KQZ rrëzoi kërkesën e Adriatik Lapajt që të ishte ai ligjvënësi, me argumentin se dorëheqja nga kandidimi ishte jashtë ligjit.

“Nuk ka dorëheqje nga kandidimi pasi listat janë miratuar. Kjo është e qartë në Kod dhe është kështu për çdo lloj shkaku apo motivi. Në këtë fazë, për sa kohë ne nuk kemi vendosur të shpërndajmë mandatet, ose për të shpallur kandidatët fitues të listës së mbyllur është në të drejtën e çdo kandidati për të hequr dorë nga marrja e mandatit”, sqaroi Celibashi.

Ndërkohë Celibashi nënvizoi se “në momentin që KQZ ka vendosur për shpalljen e mandateve, kandidati që tërhiqet nga marrja e mandatit do duhej ta bëjë para Kuvendit”.

“Çdo njëri prej kandidatëve të listës së mbyllur të këtij koalicioni ka të drejtë për t’u tërhequr nga e drejta e tyre për të marrë mandatin dhe këtë pohim mund ta bëjë në formë dhe përmbajtje aq herë sa ai e çmon dhe sa kohë KQZ nuk ka vendim për shpërndarjen e mandateve. Pra, vetëm këtë të drejtë mund të ushtrojnë ata që janë në listën shumeemërore, s’ka tërheqje nga kandidimi”, shtoi ai.

Në rastin konkret, Celibashi tha se “Kleana Xhuveli ka pohuar se dëshiron të marrë mandatin, nëse ky do të jetë rasti”. “E ka bërë edhe Zeqir Kordhoni, por duke qenë se Kleana është renditur në listën e mbyllur të këtij koalicioni më sipër, vlerësoj që i takon asaj e drejta për të marrë mandatin e deputetit të këtij koalicioni për sa kohë ajo e ka interesin për këtë”, shtoi ai.

Celibashi miratoi edhe kërkesën e Tom Doshit duke ia dhënë mandatin e PSD-së në Tiranë Tedi Mulës, më i votuari i listës së hapur. Tedi Mula e mori mandatin pas dorëheqjes së 12 kandidatëve të listës së mbyllur për Qarkun e Tiranës.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›