KËRKESAT, Punësimi sezonal në Itali, cilat janë kushtet e kontratës së punës
Artan CENA
TIRANË - Nëse një person fiton të drejtën që të punësohet këtë sezon në Itali, atëherë ai do të nënshkruajë një kontratë pune. Po cilat janë kushtet dhe çfarë duhet plotësuar që të bëhet një kontratë e me fuqi të plota ligjore. Në termat e bërë të ditur paraqiten detyrimet që duhet të plotësojë punëdhënësi dhe punëmarrësi. Sipas ligjeve në fuqi të parashikuara në Itali, nëse kontrata prishet nga njëra palë, atëherë duhet që të paguajë pasojat, ashtu siç parashikohet. Në fund të çdo viti dhe të çdo marrëdhënieje pune, edhe pse ka zgjatur më pak se një vit, çdo punëdhënës duhet t’i japë punëtorit (dhe vetë punëtori duhet ta kërkojë) certifikatën e të ardhurave për kohën që ka punuar. Certifikata duhet për të bërë deklarimin e të ardhurave dhe për të rinovuar lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno). Duhet pasur parasysh se në rast se të ardhurat vjetore janë më të larta se 7500 euro, punëdhënësi duhet t’i deklarojë ato në modulet përkatëse dhe jo me autocertifikim. Mosdeklarimi korrekt i të ardhurave mund të sjellë probleme burokratike në momentin e kërkimit të kartës së qëndrimit, bashkimit familjar ose kërkesës për nënshtetësinë.
Ripërtëritja, anulimi dhe ndryshimi
Kërkesa për ripërtëritjen e lejes së qëndrimit duhet të paraqitet pranë kuesturës, të paktën 90 ditë para datës së skadimit të saj, në rastin e një kontrate punësimi, 60 ditë në rastin e një kontrate punësimi me kohë të përcaktuar dhe 30 ditë në raste të tjera. Kohëzgjatja e lejes së ripërtërirë nuk mund të tejkalojë atë të origjinalit. Shtetasit nga vende të treta që kërkojnë ripërtëritje të lejes së qëndrimit janë subjekt i marrjes së shenjave të gishtërinjve. Dëftesa e lëshuar në kohën e paraqitjes së kërkesës për ripërtëritjen e lejes duhet të paraqitet pranë Njësisë Shëndetësore Lokale (Azienda Sanitaria Locale) për të ruajtur të drejtën e shërbimeve shëndetësore.
Për ripërtëritjen, shtetasit nga vende të treta duhet të përdorin formularët specifikë që gjenden pranë kuesturave; këta formularë duhet të përmbajnë të dhënat vetjake të kërkuesit, detaje vetjake të fëmijëve të mitur që jetojnë me të, vendin ku ai/ajo dëshiron të qëndrojë dhe arsyen e qëndrimit. Në kërkesë duhet të bashkëngjiten edhe katër foto me format pasaporte, kopje e pasaportës, apo dokument tjetër i barasvlershëm dhe dokumente që provojnë zotërimin e mjeteve të domosdoshme financiare të qëndrimit.
Si humbet leja e qëndrimit
Leja e qëndrimit e ripërtërirë do të lëshohet për aktivitetin, i cili kryhej efektivisht nga i huaji në kohën e ripërtëritjes. Nëse emigranti ndërpret qëndrimin në Itali për një hark kohor të vazhdueshëm që tejkalon 6 muaj dhe ka një leje qëndrimi dyvjeçare, apo qëndron jashtë territorit kombëtar për më shumë se gjysmën e vlefshmërisë së lejes së qëndrimit, atij nuk do t'i jepet mundësia e ripërtëritjes së kësaj lejeje, veç rasteve kur mund të provojë se mungesa e tij në Itali bëhej e domosdoshme për të përmbushur detyrimet ushtarake në vendin e origjinës, apo ka ardhur si shkak i arsyeve tepër serioze, që e kanë penguar rikthimin e tij/saj në Itali.
Procedura e punësimit
Procedura për lëshimin e lejes së qëndrimit për punë stinore duhet të nisë nga punëdhënësi dhe shoqatat e sipërmarrjes, duke kërkuar një autorizim pune me emër (nulla osta al lavoro) në Sportelin Unik për Imigrimin-Sportello Unico per l'Immigrazione. Nëse punëdhënësi nuk njeh asnjë punëtor, ai/ajo duhet ta përcjellë kërkesën pranë Qendrës për Punësim (Centro per l'Impiego) kompetente për territorin; kjo e fundit duhet të vërtetojë, brenda pesë ditësh, nëse ka punëtorë italianë, apo shtetas nga vende të BE-së që përshtaten me ofertën e bërë të punës. Brenda 10 ditësh nga komunikimi dhe jo më vonë se 20 ditë nga parashtrimi i kërkesës nga punëdhënësi, Sporteli Unik për Imigrimin (Sportello Unico per l'Immigrazione) do të lëshojë autorizimin, duke pasur parasysh të drejtën e parapëlqimit (shih më poshtë). Bazuar në kohëzgjatjen e kontratës për punë stinore, edhe në rastet e disa kontratave me kohë më të shkurtër, vlefshmëria e autorizimit për punë stinore luhatet nga 20 ditë në 9 muaj.
Rregullat kryesore në bërjen e kontratës së punës
* Kontrata e Qëndrimit (Contratto di Soggiorno)
Kontrata e qëndrimit për punë nën varësi duhet të përmbajë detyrimisht:
* Garancinë nga ana e punëdhënësit të një vendbanimi të rregullt sipas ligjit për punëtorin.
* Impenjimin nga ana e punëdhënësit për pagimin e shpenzimeve të udhëtimit në rast të riatdhesimit të punëtorit ose kthimit në vendin e origjinës.
Kontrata e qëndrimit për punë nënshkruhet pranë Sportelit Unik për Imigracionin (Sportello Unico per l’Immigrazione) në provincën në të cilën jeton ose ka adresën zyrtare punëdhënësi.
Modulistika specifike për bërjen e kontratës së qëndrimit që ka lidhje me punëtorin është:
* Moduli «Q», kontrata e qëndrimit që lidhet ndërmjet punëdhënësit dhe punëtorit të huaj që ka lejen e qëndrimit, në rast se raporti i punës ka filluar mbas 25 shkurtit 2005 (raport i ri pune ose tjetër punëdhënës që i shtohet të parit).
* Moduli «R», për kontratë qëndrimi për t’u nënshkruar midis punëtorit të huaj që e ka lejen e rregullt të qëndrimit dhe punëdhënësit, në rast se raporti i punës i filluar përpara datës 25 shkurt 2005 dhe është akoma në fuqi.
Orari i punës
Orari duhet të vendoset midis palëve duke pasur si limit:
* për punëtorë që bashkëjetojnë
- 54 orë javore: 10 orë ditore jo të njëpasnjëshme, me një pushim 2 orësh pasdite dhe të paktën 8 orë të njëpasnjëshme në harkun e së njëjtës ditë; pushim javor prej 36 orësh: 24 orë të dielën dhe 12 orë në një ditë tjetër.
* për punëtorë që nuk bashkëjetojnë
- 44 orë javore.
Pushimet
26 ditë pune (pa llogaritur të dielat dhe festat gjatë javës). Pushimet, rroga e trembëdhjetë e TFR ( likuidimet) janë shtesë rroge në vend të ushqimit e fjetjes; nuk mund të jenë të likuiduara çdo muaj: pushimet duhet të shfrytëzohen; muaji i trembëdhjetë paguhet në Krishtlindjet e çdo viti, TFR në fund të raportit të punës.
Sëmundja
Kompensimi për sëmundje paguhet nga punëdhënësi 50% për tri ditët e para; nga dita e katërt 100% për 8, 10 ose 15 ditë në vit, në bazë të vjetërsisë së raportit të punës.
Aksidentet
Kompensimi për aksidentet është në ngarkim të punëdhënësit që paguan 100% deri në ditën e tretë; nga dita e katërt është në ngarkim të INAIL dhe i paguhet nga instituti drejtpërdrejt punëtorit.
Leja e lindjes
Kur shtatzënia është gjatë periudhës së punës, deri në fund të dorëheqjes së detyrueshme për lindje, punëtorja nuk mund të pushohet nga puna. Pagesa e lejes së lindjes është në ngarkim të INPS.
Detyrimet e punëtorit
* Rinovimi i lejes së qëndrimit (permesso di soggiorno)
Kërkesa duhet bërë para kohe të paktën:
- 90 ditë për kontratën me kohë të papërcaktuar;
- 60 ditë për kontratën me kohë të përcaktuar;
- 30 ditë për rastet e tjera.
* Deklarimi i të ardhurave
Në fund të çdo viti dhe të çdo marrëdhënie pune, edhe pse ka zgjatur më pak se një vit, çdo punëdhënës duhet t’ i japë punëtorit (dhe vet punëtori duhet ta kërkojë) certifikatën e të ardhurave për kohën që ka punuar. Certifikata duhet për të bërë deklarimin e të ardhurave dhe për të rinovuar lejen e qëndrimit (permesso di soggiorno). Duhet pasur parasysh se në rast se të ardhurat vjetore janë më të larta se 7.500 Euro punëdhënësi duhet ti deklarojë ato në modulet përkatëse dhe jo me auto certifikim.
Kujdes! Mosdeklarimi korrekt i të ardhurave mund të sjellë probleme burokratike në momentin e kërkim të kartës së qëndrimit, bashkimit familjar ose kërkesës për nënshtetësinë.
Detyrimet e punëdhënësit
* Plotësimi dhe dërgimi i kontratës së qëndrimit (contratto di soggiorno- moduli Q oppure R) në Sportelin Unik për Emigracionin. Moduli për momentin stampohet vetëm nëpërmjet internetit dhe më pas firmoset nga punëdhënësi dhe punëtori i huaj duhet dërguar me rakomandatë postale në UTG (Sportelin Unik për Emigracionin).
* Komunikimi në INPS dhe në qendrën e punës
Raporti i punës duhet detyrimisht të denoncohet nëpërmjet formularëve të caktuar në INPS e përveç, brenda 5 ditëve nga data e fillimit të punës, në zyrën e punës. Çdo formulari duhet t’ i bashkëngjitet fotokopja e lejes së qëndrimit (permesso di soggiorno).
* Komunikimi në INAIL
Raporti i punës duhet detyrimisht të denoncohet në INAIL nëpërmjet formularëve të caktuar që duhet të dërgohen me faks brenda 24 orëve nga fillimi i punës.
* Njoftim kuesturës
Në rast strehimin në shtëpi që lidhet me raportin e punës i duhet njoftuar kuesturës ose komisariatit “dhënia e strehimit”. Njoftimi duhet bërë brenda 48 orësh nga hyrja në shtëpi e punëtorit jokomunitar (24 orë nëse raporti i punës është bashkëjetese). Në komunat që nuk kanë Komisariat njoftimi i bëhet policëve të bashkisë ose në zyrën e gjendjes civile.
* Pezullimi i raportit të punës
Njoftimi i pezullimit të raportit të punës duhet bërë:
- në INPS me fatura postare brenda 10 ditëve;
- në INAIL brenda 24 orëve me formularët e caktuar nëpërmjet faksit;
- në Kuesturë brenda 48 orëve (nëse bashkëjetues, brenda 24 orëve);
- në qendrën e punës brenda 5 ditëve.
23 Prill 2010