E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi, Ministria e Drejtësisë ndryshon tarifat për gjykatat, noterët dhe prokuroritë



Laureta Rryçi

Ministria e Drejtësisë përcakton tarifa të reja për një sërë shërbimesh në gjykatë, noteri, prokurori dhe Përmbarim. Edhe pse kishin kaluar vetëm pak muaj që këto tarifa u dyfishuan sërish, ministri i Drejtësisë sapo ka firmosur një tjetër udhëzim duke i dyfishuar këto tarifa. Sipas udhëzimit më të fundit të ministrit të Drejtësisë, këto tarifa janë shtrenjtuar për shkak të numrit të lartë të kërkesave që përbëjnë shifrat zyrtare nëpër këto institucione. Sipas burimeve nga kjo ministri, një nga arsyet është bërë dhe dhjetëfishimi i numrit të padive për kreditë e këqija. Statistikat zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës kanë shënuar gjatë muajit tetor edhe shifrën më të lartë mbi numrin e padive civile të depozituara nga bankat për kreditë e këqija. Por nuk mbeten pas dhe shumë padi të tjera civile që janë objekt më pas për ekzekutim nga zyrat e Përmbarimit Shtetëror.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të fundit për lëshimin e vërtetimit se personi nuk ka pengesë ligjore për pajisjen me pasaportë për jashtë shtetit, qytetarët tani e tutje do të paguajnë 400 lekë të rinj. Për vendime apo dokumente të tjera që do të lëshohen nga gjykatat, do të paguhet tarifa prej 800 lekësh. Për legalizimin e akteve të noterisë nga Ministria e Drejtësisë do të paguhet 800 lekë. Për lëshimin e vendimit të pushimit ose të vendimit të mosfillimit të çështjes penale nga prokuroria do të paguhet 800 lekë. Është zeruar tarifa për të gjitha paditë civile që do të depozitohen në Gjykatën e Tiranës me objekt për rikthim në punë.
Paditë
Sipas burimeve nga gjykata, këto dosje po kthehen në problem për shqyrtimin e tyre, për shkak të numrit të madh që ndodhet në secilën zyrë të gjyqtarëve. Për herë të parë, në lidhje me këtë fenomen, bëhen publike statistikat zyrtare të kësaj gjykate, të cilat tregojnë se kur ka nisur shqetësimi i bankave për mosshlyerjen në kohë të kredive nga ana e kreditorëve. Ndërsa padia mbërrin në gjykatë, bankave, nëpërmjet juristëve të tyre, u duhet të ndjekin vijueshmërinë e vendimit edhe nëpër zyrat e Përmbarimit. Pasi do të jenë përmbaruesit që do të ekzekutojnë vendimet e gjykatës deri në sekuestrim të pasurive të qytetarëve që nuk kanë shlyer kredinë. Këto dosje kanë problemet e tyre që në fazën e shqyrtimit nga Gjykata. Adresat e pasakta dhe ndërrimi i vendbanimit nga ana e qytetarëve i ka bërë më të vështira këto vendime, për të mos thënë të paekzekutueshme.

Tarifat që ishin
Për regjistrimin e personave fizikë e juridikë privatë (shtetas shqiptarë) 1000

Për regjistrimin e personave fizikë e juridikë privatë (shtetas të huaj) 4500

Për lëshimin e vërtetimit se personi nuk ka pengesa ligjore për pajisje me pasaportë për jashtë shtetit 200

Për legalizimin e akteve të noterisë nga Ministria e Drejtësisë 200
Kërkesë-padi që paraqiten në gjykatë Masa e taksës në lekë
Për pension ushqimor pa pagesë
Për vërtetim fakti 3 000
Padi për zgjidhje martese 3 000
Padi për pavlefshmëri të veprimeve juridike 3 000

Padi të rrjedhura nga marrëdhënie kontraktore si dhe për shkaktim dëmi Masa e taksës në lekë
Me vleftë deri në 100 000 lekë 3 000
Me vleftë mbi 100 000 lekë 1% e vlerës
Padi për pjesëtim pasurie 3 000
Padi për kthim në punë pa pagesë

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›