KROACI – 50 vjet burg për vrasësin në shkollën fillore të Zagrebit

ZAGREB, 23 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Një 20-vjeçar u dënua sot në Zagreb me pesëdhjetë vjet burg, dënimi maksimal sipas ligjit kroat, për vrasjen e një vajze shtatëvjeçare në dhjetor 2024, dhe plagosjen e tre nxënësve të tjerë të moshës shtatë, njëmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë vjeç në një sulm me thikë në shkollën fillore Prečko, në periferi perëndimore të kryeqytetit kroat.
Ishte sulmi i parë masiv që ndodhi ndonjëherë në një shkollë në Kroaci, një tragjedi që tronditi thellësisht opinionin publik.
Pas sulmit, i cili zgjati vetëm disa minuta, 19-vjeçari u fsheh në një qendër mjekësore disa dhjetëra metra larg shkollës, duke u mbyllur në banjo për të kryer vetëvrasje me të njëjtën thikë.
Policia, e cila mbërriti në vendngjarje brenda pak minutash nga raporti fillestar, arriti ta arrestonte atë dhe më pas e la nën arrest.
Në një deklaratë të shkurtër për shtypin, nëna konfirmoi se ‘’djali i saj, një ish-nxënës në shkollën fillore ku ndodhi tragjedia, vuante nga çrregullime mendore’’.
“Duke marrë parasysh brutalitetin e krimit, të kryer me thikë, dhe lëndimet e shumta që pësuan viktimat, trupi gjykues vendosi se vetëm dënimi më i rëndë, 50 vjet burg, mund të arrinte objektivat parandaluese”, njoftoi gjykata. /os/