Kabineti i ri i audiometrisë së folur, për herë të parë në Spitalin Francez në QSUNT

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Në shërbimin ORL në Spitalin Francez pranë QSUNT është vënë në funksion kabineti i ri i audiometrisë së folur dhe në fushë të hapur me teknologji sipas standardeve europiane.
Ky është i vetmi kabinet i këtij lloji në vend, që garanton vlerësim të saktë të dëgjimit dhe ndjekje më cilësore të pacientëve.
Rreth 60 fëmijë me implante kokleare, si dhe pacientë me aparate dëgjimi, tashmë mund të monitorohen periodikisht pranë këtij shërbimi, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e kujdesit dhe ndjekjen e vazhdueshme terapeutike.
Falë këtij investimi mjekët e këtij shërbimi kanë po ashtu në dispozicion për herë të parë në Shqipëri edhe audiometrinë e gjuhës së folur.
“Në këtë kabinet bëhen disa testime. Për herë të parë në Shqipëri bëhet testimi i gjuhës së folur. Kjo nuk ka qenë më përpara në Shqipëri. Përgatitjen e ka kryer doktor Adrian Xhuvani, mjek shqiptar që punon në Francë. Në bashkëpunim me një gjuhëtar ka përgatitur disa fjalë dhe këtu bëhet edhe testimi me aparat dëgjimi”, u shpreh mjekja e këtij shërbimi, Birkena Qiriazi.
Sipas saj, “në disa raste pacientit i bëjnë edhe audiometrinë standard, edhe atë vokale”.
“Përfiton çdo pacient që vjen në QSUT. Por përfitojnë edhe rreth 60 fëmijë në vit me implante kokleare”, u shpreh Qiriazi.
/m.m/j.p/r.e/