E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky: Putini nuk i ka arritur qëllimet katër vjet pas pushtimit

KIEV, 24 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka arritur qëllimet e tij, katër vjet pas pushtimit të Ukrainës, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Sot shënon saktësisht katër vjet që kur Putini filloi sulmin e tij treditor për të marrë Kievin”, tha Zelensky në një video të postuar në X.

“Dhe kjo thotë shumë për rezistencën tonë, për mënyrën se si Ukraina ka luftuar gjatë gjithë kësaj kohe”, shtoi ai.

“Duke u kthyer pas, në fillim të pushtimit dhe duke reflektuar rreth saj, sot kemi të drejtë të themi: ne e kemi mbrojtur pavarësinë tonë, nuk e kemi humbur shtetësinë tonë. Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij”, tha udhëheqësi ukrainas.

“Ai nuk i ka thyer ukrainasit, ai nuk e ka fituar këtë luftë. Ne e kemi ruajtur Ukrainën dhe do të bëjmë gjithçka për të siguruar paqen dhe drejtësinë”., shtoi ai.

Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Të dy palët kanë zhvilluar bisedime paqeje në javët e fundit me ndërmjetësimin e SHBA-së, por ka pasur pak shenja të një përparimi të afërt.

“Pa dyshim, të gjithë duam që kjo luftë të mbarojë, por askush nuk do të lejojë që Ukraina të pushojë së ekzistuari”, tha Zelensky duke iu referuar negociatave.

“Do të bëhet gjithçka për të siguruar që vitet e luftës të mos jenë të kota. E gjithë lufta, guximi, dinjiteti, gjithçka që ka kaluar Ukraina nuk duhet të zhvlerësohet”, theksoi ai.

Zyrtarët e lartë të BE-së vizituan sot Kievin për të shënuar përvjetorin, ndërsa disa aktivitete do të mbahen në të gjithë Gjermaninë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›