Kadastra, 24 shërbime kadastrale ofrohen brenda 24 orësh

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se 24 shërbime kadastrale tashmë mund të përfitohen brenda 24 orëve, përmes procedurës së përshpejtuar, duke lehtësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve në dokumentacionin e nevojshëm.
Sipas ASHK-së, për shërbimet që ofrohen me këtë procedurë, qytetarët pajisen me dokumentacionin e kërkuar brenda një dite nga momenti i konfirmimit të pagesës.
Aplikimi kryhet online nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke përzgjedhur shërbimet që kanë kodin “PP” përpara emërtimit, i cili identifikon procedurën e përshpejtuar.
Kadastra u bën apel qytetarëve që gjatë aplikimit të plotësohen saktë të gjitha të dhënat në formularin elektronik dhe të ngarkohet dokumentacioni i nevojshëm në format PDF, pasi çdo pasaktësi ose mungesë dokumentacioni mund të ndikojë në afatin e përpunimit.
Lista e plotë e 24 shërbimeve është publikuar në faqen zyrtare të ASHK: https://www.ashk.gov.al/kodet-e-aplikimit/
/e.xh/a.f/r.e/