E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rritja ekonomike e qëndrueshme mundësoi paga dhe pensione më të larta

TIRANË, 31 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë
Socialiste, deklaroi sot se ekonomia vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së në njësinë 7 në kryeqytet, Rama u shpreh se kjo verifikohet nga rritja e pagave në sektorin publik.

“Pagat janë rritur dhe tani kemi hyrë në një fazë që më në fund po njohim edhe vjetërsinë në punë të mjekëve, infermierëve, të ushtarakëve, të mësuesve, gjë që nuk e bënim dot përpara jo se nuk donim apo se nuk dinim, por sepse nuk kishim mundësi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot kemi mundësi, sepse është rritur ekonomia dhe të ardhurat.

“Si mund të shpjegohet se ndërkohë që rritet korrupsioni, sipas ‘tenxhereve’, rriten edhe të ardhurat e shtetit? Si shpjegohet se ndërkohë që rritet korrupsioni në prokurime, rriten kursimet nga prokurimet?”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se falë kësaj rritjeje ekonomike po rriten edhe pensionet.

“Pensionet janë në vitin e parë të rritjes së tyre, sepse bonusi i përmuajshëm do të dyfishohet në janar të vitit të ardhshëm, do të trefishohet në 2028-ën, katërfishohet në 2029-ën dhe pesëfishohet në 2030-ën. Kjo sepse janë rritur mundësitë dhe është rritur ekonomia dhe ne kemi arritur të mbledhim më shumë të ardhura pa i rritur taksat”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›