Kadastra nis evidentimin e ndërtimeve të vjetra dhe pa leje në Vlorë

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kadastra Shqiptare ka nisur punën në terren për trajtimin e shtëpive të vjetra dhe ndërtimeve pa leje në Rajonin 4 (Zk 8604), përfshirë zonat e Nartës dhe Llakatundit.
Këto zona janë identifikuar si prioritare në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës dhe përfshijnë kryesisht banesa të ndërtuara para vitit 1991, si dhe ndërtime informale.
Ekipet e Kadastrës do të kryejnë evidentimin në terren, matjet dhe verifikimet e nevojshme për trajtimin e çdo vetëdeklarimi, kërkese apo aplikimi në këto zona.
Kadastra fton banorët e Rajonit 4, Llakatundit dhe Nartës të bashkëpunojnë me specialistët e terrenit për të lehtësuar procesin e matjeve dhe për të siguruar dokumentacion të plotë pronësie.
“Bashkëpunimi i tyre është thelbësor për përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi dhe avancimin e regjistrimeve pronësore në zonë”, thekon në njoftimin zyrtar Kadastra Shqiptare.
/e.xh/a.f/