E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Program i ri financiar për rritjen e bizneseve të vogla

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një takim me kryetarët e bashkive në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”.

Gjatë takimit kryeministri Rama informoi se është finalizuar një marrëveshje me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë për rilançimin e programit të garancisë sovrane dhe linjave të kreditimit.

Programi i ri do të zgjerohet përtej sektorit të bujqësisë dhe agroturizmit, duke përfshirë të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që synojnë rritjen, tha Rama, teksa shtoi se, “programi ‘Dyfisho ndërmarrjen tënde’ do të hyjë së shpejti në zbatim, me një paketë incentivash për agropërpunimin dhe agrobiznesin.

Ai shtoi se bashkitë duhet të angazhohen sa herë që është e mundur për të mbështetur këto iniciativa, ndërsa vuri në dukje potencialin e madh të ndërmarrjeve të vogla në qytete.

“Kemi rënë dakord, jo më larg se sot kemi finalizuar një diskutim me bankën e Shqipërisë me bankat e nivelit ë dytë për të rila çuar programin e garancisë sovrane dhe të kredisë së linjës ë kredisë së bankës së Shqipërisë, duke kaluar në një nivel tjetër në aspketin e gamës së ndërmarrjeve, pra linja e parë e kredisë ishte e fokusuar kryesisht tek fshati, tek bujqësia dhe tek agro-turizmi, agro-përpunimi, tani do të jetë për të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duan të rriten. Pra ai programi “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, do të hyjë shpejt në fushë me një paketë incentivash përsa i përket agro përpunimit, agro biznesit, ku njerëzit mund të bëjnë shumë por ku ka nevojë për mbështetje qoftë në asketin e hartimit të projektit, aplikimin, por edhe pastaj partneritetit me bashkinë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, shtoi kryeministri, “ndërmarrjet e tjera besoj që kanë më shumë kapacitet vetë për të kërkuar më shumë”.

“Unë kam takuar vazhdimisht ndërmarrje të vogla që janë nëpër qytetet tuaja, një pjesë të tyre i kam njohur edhe nëpërmjet podkastit dhe realisht kanë potencial që të zhvillohen, kanë nevojë për financim, ne do t’i vëmë në dispozicion financimin dhe kurdoherë dhe sidoqoftë që bashkia mund të angazhohet është mirë që të angazhohet”, tha Rama.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›