Rama: Zyrë ndihme juridike pranë bashkive për legalizimet

TIRANË, 3 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste kërkoi sot që pranë bashkive të ngrihet një zyrë juridike për të ndihmuar qytetarët me aplikimet për legalizimet.
Gjatë takimit me kryetarët e bashkive në kuadër të turit për “Punët e Shqipërisë”, Rama kërkoi një angazhim uniform për sa i përket procesit të legalizimeve nga ana e bashkive.
Kryeministri kërkoi që institucioni i Kadastrës në bashkëpunim me çdo bashki të ndërtojë planet për të kalendarizuar procesin e legalizimeve duke e bërë sa më të drejtë, më transparent dhe më të parashikueshëm për aplikuesit.
“Duhet të vendoset një sistem ku ata që kanë aplikuar më parë duhet të kenë prioritet. Po ashtu të përcaktohen zonat prioritare dhe sipas këtyre zonave të informohet komuniteti për fazën në të cilën ndodhet procesi i legalizimit”, tha Rama.
Rama kërkoi që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për Kadastrën.
“Ka shumë ankesa për Kadastrën por një pjesë e madhe e ankesave për mosmarrjen e shërbimit vjen si rezultat i mosaplikimit në mënyrë korrekte ligjore. Për këtë duhen njohuri juridike që njerëzit e kërkojnë në noterë, që u marrin tarifa. Nuk ka asnjë problem për bashkitë që të hapin një zyrë për ndihmë për Kadastrën dhe legalizimet”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, lehtëson qytetarët për të kuptuar si bëhet një aplikim për legalizim.
“Njësitë administrative përgjithësisht kanë hapur aksesin për t’i shërbyer qytetarëve për e-Albania. Kjo është diçka pozitive por edhe në këtë aspekt jo të gjithë bëjnë gjënë e duhur”, tha Rama.
/a.f/