Kamëz- Sherr me thika mes të miturve, plagosen dy 16-vjeçarë

Një sherr me thika ka ndodhur këtë të enjte (2 tetor) mes disa të miturve te bulevardi “Nënë Tereza” në Kamëz. Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se pas një konflikti në rrugë për motive të dobëta mes disa të mitur të moshave 15-17 vjeç, dy 16-vjeçarë janë dëmtuar dhe janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të përfshirë në konflikt.
“Rreth orës 10:50, te bulevardi “Nënë Tereza”, në rrugë, dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, disa shtetas të mitur, të moshave 15-17 vjeç.
Gjatë konfliktit janë dëmtuar, dyshohet me mjet të mprehtë, dy 16-vjeçarë, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Është dëmtuar lehtë dhe një bashkëmoshatar i tyre, i cili është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas dhe po marrin deklaratat e tyre”, thuhet në njoftim.