Komisioni për Nismat Qytetare nis punën, raportimet e institucioneve të pavarura zhvillohen bashkarisht

Është konstituar këtë të enjte (2 tetor) një nga komisionet më të kontestuar në strukturën e re parlamentare: Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Kryetari Fatmir Xhafaj tha se përgjegjësitë kryesore të komisionit lidhen me monitorimin e strategjive dhe vendimeve të Kuvendit, shqyrtimin e peticioneve të qytetarëve dhe mbikëqyrjen e ligjeve nga ekzekutivi dhe institucionet e pavarura.
Ai shtoi se raportimet e këtyre institucioneve do të zhvillohen si mbledhje të përbashkëta me komisionet e tjera të cilat i kanë në fushat e përgjegjësisë.
“Meqenëse mbledhjet do të jenë të përbashkëta, ato do të jenë të ndërtuara me katër komisione: me Komisionin e Burimeve Natyrore, Infrastrukturë dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, me Komisionin për Ekonomisë, Punësimin dhe Financave, me Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik,” tha Xhafaj.
Opozita ngriti shqetësimin për paqartësitë që lidhen me drejtimin e këtyre mbledhjeve të përbashkëta me komisionet e tjera.
Zëvendëskryetari Ivi Kaso u shpreh se komisioni duhet të shndërrohet në një instrument real për t’i dhënë zë qytetarëve. Deputetja e PD-së, Elda Hoti, e cilësoi ngritjen e tij si një hipokrizi të Kuvendit, duke akuzuar Presidentin Begaj për certifikimin e “zgjedhjeve ilegale”.
“Qëndrimi jonë nuk ka për të qenë edhe në këtë seancë i ndryshëm nga ai që kanë kolegët mbajtur në komisionet e tjera për të mos pajtuarit ende me ndryshimet e njëanshme të rregullores dhe kundërshtimit të tyre, pra të rregullores në Gjykatën Kushtetuese,” tha Kaso.
“Është e paqartë edhe për ne, si anëtarë të këtij Komisioni, se si do të funksionojnë këto mbledhje, si do të ketë dy kryetarë, dy relatorë. Domethënë është një kaos institucional,” tha Hoti.
Mbledhja u mbyll me vendimin që puna e komisionit të nisë sipas kalendarit parlamentar.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/