Kamionët e Delijorgjit, drejt Holandës
Punonjës të doganës: Kamionët e "Albdemil" nuk i nënshtroheshin kontrollit. Deklaronin barut dhe gëzhoja
Makinat e ngarkuara me municion zhdoganoheshin formalisht në Durrësit dhe udhëtonin drejt Holandës
TIRANË- Leja e eksportit, e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes duket se u ka hapur të gjitha portat kamionëve tëMihal Delijorgjit. Kontrata e siguruar me këtë ministri i ka siguruarshoqërisë"Albademil" jo vetëm demontimin e 15 251 tonëve municion të kalibrave të ndryshëm, por edhe eksport të sigurt të materialeve, si rezultat i procesit të punës në fabrikën e vdekjes në Gërdec. Burime nga dogana e Durrësit bëjnë të ditur për gazetën"Shekulli" se përgjithësisht, kamionët e firmës "Albademil" nuk i nënshtroheshin kontollit doganor, ndërkohë që zyrtarisht, Doganat nuk japin të dhëna sesa makina të tilla, të ngarkuara me municion kanë kaluar kufirin detar, për të vazhduar rrugëtimin drejt tregjeve të huaja. Pika 6 e urdhrit të ish- ministrit Mediu, me nr. 550, datë 25.04.2007 duket se u ka siguruar makinave qëpunonin për llogari të Mihal Delijorgjit hapjen e dyerve të çdo institucioni të shtetit shqiptar. Madje, gjatë gjithë kohës që ka vazhduar aktiviteti i kësaj firme, kontrolli i kamionëve me materiale ushtarake ka qenë krejtësisht formal.
***
Sipas burimeve të sigurta nga dogana e Durrësit, kamionët e ngarkuar nga fabrika e Gërdecit, përgjithësisht nuk u nënshtroheshin kontrolleve doganore për ngarkesat që kishin. Po sipas të njëjtave burime thuhet se procesi i vetëm në këtë doganë ka qenë firmosja e dokumenteve për vazhdimin e mëtejshëm tëudhëtimit. "Makinat ishin të pajisura me një leje eksporti nga Ministria e Mbrojtjes dhe ne kryenim vetëm procedurat e dokumenteve, duke bërë zhdoganimin e tyre. Ngarkesat deklaroheshin si barut dhe gëzhoja"-thonë punonjës të doganës së Durrësit, që nuk duan të identifikohen. Edhe pse është përgjegjësi e doganës të verifikojë çdo ngarkesë që kalon, kamionët që transportonin materialet nga fabrika e Gërdecit ishin të "imunizuar" prej kontrollit fizik, ndërsa i nënshtroheshin vetëm procesit të dyllosjes. "Shekulli" u mundua të zbulonte dje destinacionin e kamionëve që mbërrinin në doganën e Durrësit nga Gërdeci, por vetëm në rrugë jozyrtare u mësua se destinacioni i deklaruar ishte Gjermania e më pas Holanda.
***
"Kamionët ngarkoheshin në tragetet në portin e Durrësit, në drejtim të Triestes. Prej andej, këta kamionë të ngarkuar në kompaninë e Delijorgjit në Gërdec vazhdonin udhëtimin drejt Gjermanisë dhe duke kaluar nga territori i këtij shteti mbërrinin në Hollandë. Se ku shkonin më tej, unë nuk e di"-bën me dije një punonjës i doganës së Durrësit. Nga dhjetëra dëshmi që ka siguruar gazeta "Shekulli" nga punëtorët e fabrikës së Gërdecit bëhet me dije se mbrëmjeve ngarkoheshin kamionë të bardhë me targa të huaja, që punëtorëve u janë dukur si angleze. Barut, skrap, por edhe arka të lehta me fishekë të paçmontuar ngarkoheshin në këta kamionë, që sipas burime të "Shekullit" nuk mbanin targa angleze, por holandeze. Po sipas dëshmive thuhet segjatë preudhës së verës, në muajt qershor-shtator ku edhe ka patur kulmin e aktivitetit të saj shoqëria e Mihal Delijorgjit ngarkoheshin deri në tre kamionë të tillë në ditë. Ndërkohë, ndodhte qëmakinat të prisnin edhe për disa ditë në fabrikë, në pritje të demontimit të municioneve. Punëtorët pohuan se në këto kamionë ngarkoheshin thasë me barut apo edhe gëzhoja municionesh, por vetë ata denoncuan edhe daljen nga fabrika e Gërdecit e arkave të tëra me fishekë të pastruar, por jo të demontuar. Duke u bazuar edhe tek të dhënat e siguruara në doganë, gjurmët e këtyre ngarkesave të çojnë deri në Holandë. Destinacioni përfundimtar i tyre mbetet për t'u zbuluar…
Shifrat zyrtare të deklaruara në doganë për eksportin e kompanisë së Mihal Delijorgjit
Eksporti 2 mijë ton i "Albdemil", mori nga ushtria 15 mijë ton
TIRANË- Kompania "Albademil" ka regjistruar në doganë 2 mijë ton dinamit, barut, pajisje të tjera ushtarake, si dhe skrap të eksportuar gjatë vitit 2007 dhe 2 muajve të parë të vitit 2008. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e doganave, destinacioni i armëve dhe materialeve të tjera luftarake ka pasur në epiqendër të tij Afganistanin, por edhe shtete të tjera. Gjatë vitit 2007 dhe muajve të parë të vitit 2008, derisa të ndodhte tragjedia e Gërdecit, sasia e eksportit në total regjistruar në dogana për dinamit dhe barut ka regjistruar 610 ton, nga të cilat rreth 250 ton janë eksportuar nga ana e firmës "Alb Demil" dhe pjesa tjetër nga ana e kompanisë MEICO. Përsa i përket eksportit të skrapit që ka ardhur nga demontimi i predhave dhe pajisjeve ushtarake, firma "Albademil" ka mundur që të shesë jashtë kufijve një sasi që shkon në 1 800 ton dhe që llogaritet t'i ketë sjellë kësaj kompani fitime prej miliona eurosh, por që në dogana rezultojnë me një vlerë tepër të ulët. Por bilancet e kësaj kompanie nuk përkojnë, po t'i krahasosh me sasinë e municionit të marrë nga depot e ushtrisë, nëpërmjet një kontrate me një kompani amerikane fantazmë. Të dhënat zyrtare të ushtrisë pohojnë se gjatë vitit 2007, drejt Gërdecit janë dërguar 6486 ton municion, ndërsa deri më 14 mars 2008, një ditë para tragjedisë, atje kishin mbërritur 8765 ton municion. Për më shumë se 15 mijë ton municione të marra nga ushtria, kompania e Delijorgjit, sipas të dhënave të doganave ka eksportuar vetëm 2 mijë ton mbetje, ndërsa nuk jepet asnjë e dhënë për 13 mijë tonët e tjerë të municioneve që janë zbarkuar në Gërdec.
MUNICIONET
Southern Ammunition Company6 486 t në vitin 2007
Southern Ammunition Company 8 765 t për vitin 2008
Totali = 15 251 ton