Kanalet televizive BBC Three dhe BBC Scotland do të mbyllen vitin e ardhshëm

Europë | 4 minuta më parë
BBC ka njoftuar mbylljen e kanaleve televizive BBC Three dhe BBC Scotland, si dhe të stacionit radiofonik Radio 4 Extra, si pjesë e përpjekjeve për të kursyer 500 milionë paund.
Të dy kanalet televizive do të kalojnë online, ndërsa korporata përpiqet të përballojë krizën e financimit dhe të përshtatet me audiencën që shikon gjithnjë e më shumë përmbajtje sipas kërkesës. Të tre shërbimet do të mbyllen në pranverë.
Drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Matt Brittin, tha se korporata duhet “të bëjë që çdo paund të punojë më shumë për audiencën, ndërsa përgjigjemi ndaj presioneve të menjëhershme të kostove dhe rishpikim BBC-në për një botë që po ndryshon”, ndërsa shtoi se “të gjithë e dimë se kemi të bëjmë me zgjedhje të vështira.”
Ndërkaq, do të shkurtohen edhe 100 vende pune në BBC News për të kursyer 5,5 milionë paund.
Megjithatë, drejtorja e re e departamentit, Rachel Jupp, ka paralajmëruar stafin se objektivi i tyre prej 51 milionë paundësh për shkurtime mund të rritet për shkak të krizës së financimit.
Edhe me mbylljen e këtyre kanaleve, që vjen mbi shkurtimet e tjera të shpallura më parë, brenda BBC-së thonë se korporata nuk ka arritur as gjysmën e objektivit prej 500 milionë paundësh. Deri tani janë kursyer rreth 200 milionë, prandaj priten shkurtime edhe më të diskutueshme gjatë vitit të ardhshëm.
Kjo është hera e dytë që kanali linear i BBC Three mbyllet. Ai u zhvendos online në 2016 dhe u rikthye në 2022.
BBC Three, i orientuar drejt audiencës së re, ka lançuar emisione si Gavin and Stacey, Fleabag dhe Killing Eve. Zakonisht rreth 4% e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar e shikon kanalin live në një javë. BBC ka premtuar investime më të mëdha në përmbajtje për të rinjtë, por ka anulluar tashmë emisionin e njohur RuPaul’s Drag Race UK.
Audienca e BBC Scotland u vlerësua shumë e ulët për të justifikuar kostot e mbajtjes në transmetim. Përmbajtja e saj do të jetë e disponueshme në iPlayer, si dhe në BBC One dhe BBC Two në Skoci.
Vendimi për mbylljen e Radio 4 Extra erdhi pasi u vlerësua se shumica e përmbajtjes mund të aksesohet digjitalisht përmes aplikacionit BBC Sounds. Stacioni kishte një audiencë javore prej 1,4 milionë dëgjuesish.
Ka pasur kritika të forta brenda BBC-së për mënyrën se si po bëhen shkurtimet. Shumë punonjës frikësohen se po synohen përmbajtje të shërbimit publik që konkurrentët nuk do t’i bënin kurrë. Janë prekur edhe emisione si The World Tonight në Radio 4 dhe You and Yours, ndërsa po reduktohen korrespondentët dhe radio lokale po bëhet më rajonale, raporton “The Guardian”.
Philippa Childs, shefe e sindikatës Bectu, tha se shkurtimet e fundit “rrezikojnë të shkaktojnë dëm të pariparueshëm për BBC-në dhe do të dëmtojnë edhe më shumë moralin e punonjësve”.
BBC po përballet me sfida serioze financiare, me rënie të shpejtë të të ardhurave. Brittin ka thënë se nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për këto presione kur mori postin më herët këtë vit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.