E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kryeministri diktator”/ Protestuesi Hekuran Golemi: Ne e djallosëm si brez. U dhunova në tubime. Rinia të revoltohet për një Shqipëri tjetër më të mirë

Protestuesi Hekuran Golemi, i ftuar në News24 tha se brezi i tij e ka djallosur dhe se ka pranuar edhe shtypjen në 36 vite tranzicion.

Golemi shprehet se është dhunuar në protesta, edhe pse thjesht ka dalë në tubime me pankarta e ka qenë i qetë.

Bëri thirrje që rinia mos të pranojë realitetin dramatik, ku qeveria vetëm vjedh dhe korrupsioni është i përhapur. Sipas tij, rinia duhet që të ngrihet dhe të ndërtojë një tjetër Shqipëri, atë ku mund të ketë të ardhme në vend.

Hekuran Golemi: Ne e djallosëm si brez, por sot duhet të protestojmë për rininë dhe qytetarët që janë në shesh. Ky tranzicion duhet të ndërpritet, pasi kemi vuajtur shumë.

Unë protestoj për të gjitha grup-moshat dhe sidomos për rininë. Kam tre fëmijë dhe dy i kam jashtë dhe nuk dua që ata të shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Rinia duhet ta ndërtojë të ardhmen në Shqipëri, në atdheun e tyre. Ne jemi shumë, sepse ka shumë persona që nuk iu dëgjohet zëri. Presion nuk kam pasur, por dhunë po. Nuk jam kursyer as unë, që kam pasur vetëm pankartë. Më kanë dhunuar, edhe pse mbaja vetëm pankarta në duar.

Kryeministri është një diktator. Ai nuk hedh fonde për studentët, por jep para për policinë. Studentët kërkojnë që mos kenë tarifa kaq të larta, sepse po lodhen duke punuar vetë. Ndoshta kërkojnë edhe për ne, sepse ne jemi ata që paguajmë. Ndoshta shohin se edhe pas diplomimit, nuk dinë në do gjejnë një punë.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›