E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanali i Setës, mrekullia e mjeshtërisë popullore “skalitur” mbi Gjallicat e Lurës

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Ndalojmë në anë të rrugës që të çon në parkun kombëtar të Lurës, buzë një përroi ujërat e të cilit gurgullojnë të lira në parcelat e afërta. Pemë të larta arrash me kokrrat ende jeshile, pemë mollësh e kumbullash që sa nuk u thyhen degët nga bollëku.

Ky është peizazhi që ofron fshati Çidhen në Dibër pikërisht aty nuk nis shtegu për në kanalin e Setës. Asgjë nuk flet për atë që vjen më pas veç tubave të trashë që dallojnë se vijnë nga diku.

Një ngjitje e lehtë dhe përpara ke stacionin e parë të kanalit. Shtegu është i ngushtë dhe shkon anës rrëpirave të forta, por gjithsesi i gjerë mjaftueshëm sa për të ecur e mbajtur ekuilibrin.

Përgjatë shtegut kanali i Setës i derdhur në beton, ku uji i pastër rrjedh nga kanioni i Setës poshtë malit e ngjitet për të ujitur tokat përreth.
Kanali është çarë në shpatet e Gjallicave të Lurës, siç njihet mali nga banorët e zonës, një varg thikash të mprehta shkëmbore dhe humnerash ku lumi ka gërryer kanionin përgjatë shekujve.

Sa më shumë përparon anës malit, aq më madhështore shfaqen shpatet e kanionit poshtë. Në disa pjesë është e domosdoshme të përdorim litarët e lidhur në kavo çeliku për të mos rrezikuar.

Nuk janë të shumtë njerëzit që nuk janë nga Dibra që dinë diçka për kanalin e Setës. Ndoshta inxhinierët e kanë mësuar në librat e tyre, por për ne kjo vepër u shfaq e mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë e pabesueshme që të jetë ndërtuar me punë vullnetare nga banorët e zonës.

Por, historia tregon se Kanali i Setës është një vepër e inxhinierisë popullore, ndërtuar plotësisht në terren të thepisur mbi kanionin e lumit Setë.

I projektuar nga inxhinieri popullor Gani Tuçepi dhe i ndërtuar kryesisht në vitet ’60 (punimet nisën më 1 mars 1967), ky kanal u realizua në kushte tejet të vështira me mjete të thjeshta si kazma, lopata dhe litarë nga vetë banorët e zonës. Sipas të dhënave të kohës, kanali u ndërtua për të dërguar ujërat e lumit Seta drejt zonave të Çidhnës, Dardhës, Reçit e Sinës për ujitje.

Tashmë, kanali ka mbetur si një kujtesë e kohës por edhe një atraksion turistik për të gjithë të apasionuarit që nuk u druhen lartësive.

Janë tre kilometra për t’u përshkruar në një shteg që shkon përgjatë kanalit, ndërsa zbritja në kanion dhe kthimi përmes tij e çojnë shtegun në mbi 12 kilometra.

Lartësia e kanalit është rreth 300 metra sipër kanionit anës e anës faqeve thikë, ndërsa në disa vende kanali çan shkëmbin dhe kalon poshtë tij, për të dalë sërish në anën tjetër. Uji është i pastër, i ftohtë dhe kanali është i thellë mjaftueshëm edhe për të notuar.

Sesi ka ndodhur ndërtimi i tij me kazma e lopata është e gjitha për t’u mahnitur, por materialet e kohës tregojnë se mijëra burra e gra nga Dibra u organizuan në brigada aksioniste për të hapur kanalin vetëm me kazma, lopata, dalta dhe litarë, duke sfiduar lartësitë pa asnjë mjet modern mbrojtës.

Dekada me radhë, kanali i Setës njihej vetëm nga banorët e zonës, por në vitet 2018-2019 guidat e para dhe klubet e alpinizmit filluan të eksploronin terrenin, duke zbuluar shtegun që lidh Setën me Liqenin e Luleve në Lurë.

Por rruga drejt zonës ishte e gjatë dhe e lodhshme deri me përfundimin e Rrugës së Arbrit që e ka shndërruar atë në destinacion fundjave.

Kanioni i Setës nga ana tjetër ofron panoramë me mure të lartë sipër lumit që tani në verë nuk ka shumë ujë, në disa pjesë ka dalë tërësisht shtrati me zhavorr.

Gjithsesi eksplorimi i gjithë shtegut mbetet për një herë tjetër. Kthimit bëhet sërish përmes kanalit të Setës, ku nuk mungon edhe një zhytje në ujërat e tij në guvat që krijohen kur kanali futet poshtë shkëmbit.

E çuditshme se si kanë arritur ta ndërtojnë në mënyrë aq perfekte, por kanali është aty për të dëshmuar pa treguar mundimin që koha e ka fshirë.
Banorët e zonës tregojnë historitë e lëna nga më të moshuarit se njerëzit lidheshin me litarë të thjeshtë në bel dhe qëndronin të varur mbi humnerë për orë të tëra, duke mbajtur daltën me njërën dorë e duke goditur shkëmbin me tjetrën,

Fshati Çidhën është i gjithë me shtëpi të vjetra, por të banuara pasi parcelat janë të mbjella dhe oborret të sistemuar.

Zona mbart histori dhe legjenda që banorët i ritregojnë kur mblidhen për festa, apo gjatë verës kur kthehen të larguarit nga fshati.

Vetëm pak më tutje në fshatin Sine ndodhet muzeu i vendlindjes së Kastriotëve. Gjatë rrugës ndesh tabela që të drejtojnë tek Shkëmbi i Skënderbeut dhe vendet ku ai fshihej me ushtrinë nëpër shpella.

Edhe kanioni i Setës ka legjendat e veta për shpella të fshehta me thesare të lëna pas nga kaçakët, sikundër për orët e malit që mbrojnë burimet.

Përmes fshatit Çidhen kalon shtegu që të zbret në lumë deri tek Ujëvara e Sopanikës, ku mund të pushojmë.

Sapo i afrohesh ujëvarës në anën tjetër të lumit nga fshati dëgjohet jo vetëm zhurma e ujërave, por u ndihet edhe freskia.

Restoranti, që mban emrin e Sopanikës, e ka organizuar shtegun me litar dhe me shkallë druri për të gjithë vizitorët, ndërsa tavolinat janë të shpërndara në terrenin e ujëvarës të mbushur me mushk e pemë të larta. Ujëvara vjen si katarakt dhe derdhet në lumë, duke krijuar gjatë gjithë gjatësisë pellgje të vegjël, ndërsa buron direkt nga shpatet e një shpelle karstike e hapur edhe ajo për eksplorim.

Ndërsa drekon në një tavolinë afër ujëvarës nën freskun e një arre madhështore harron të kthehesh nga ke ardhur. Njerëzit janë të gjithë të buzeqeshur edhe pse restoranti i mban me punë gjithë ditën.

Dhjetëra banorë të zonës por edhe vizitorë vijnë pranë shpellës dhe lumit për t’u freskuar, ndërsa ujëvara shkumëzon përposhtë.

Pamjet që kamera ka fiksuar të kujtojnë ku ke ecur, pasi fjalët nuk e transmetojnë dot të gjithë mrekullinë e krijuar nga dora e njeriut në kohë të vështira.

Kanali i Setës dhe Ujëvara e Sopanikës, foto: ATSH 1 nga 16

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›