MM: 43 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, 10 mbeten aktive

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 43 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 3 janë në monitorim.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 499 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse.
Ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 5 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht në terren po operojnë 120 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Konkretisht në Malin e Dajtit, në Tiranë vijon puna për shuarjen e zjarrit. Operacioni është mbështetur nga 50 efektivë të FA-së dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Në Vakumone, Shëngjergj, vatra mbetet aktive. Në ndërhyrje janë përfshirë MZSH, vullnetarë dhe strukturat e Njësisë Administrative Shëngjergj. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Gurë-Lurë, Dibër po vijon një nga operacionet më të mëdha. Janë angazhuar 120 forca bashkiake, 20 forca policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Hapja e korridoreve ka ndaluar avancimin e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, Dibër/Bulqizë, në operacion janë angazhuar 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës, pa rrezik për banesat.
Në Abaze, Krujë zjarri mbetet aktiv, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara. Vatra në Zidoll është në monitorim.
Në Lufaj Mirditë vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse. Ndërsa në Thari është evidentuar një vatër e re, ku janë nisur ekipet e MZSH dhe është dërguar në mbështetje 1 helikopter.
Në Fushë-Lajë Shkodër vijon puna në terren të thyer, ndërsa në Rrjoll, për shkak të terrenit të paarritshëm, situata po monitorohet nga afër dhe është përdorur edhe dron për evidentimin e shtrirjes së vatrës.
Në Dardhë, Librazhd, MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake vijojnë punën për shuarjen e vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
/m.m/a.f/