Protesta e opozitës – 18 në pranga, procedohet penalisht sekretari organizativ i PD-së

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Policia e Shtetit ka identifikuar 37 shtetas të përfshirë në akte të dhunshme gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit të organizuar më 24 janar rreth orës 17:00 nga subjekti politik Partia Demokratike, disa pjesëmarrës kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë së Shtetit të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur lëndë djegëse (molotovë) në drejtim të tyre.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë 18 shtetas, u proceduan penalisht 17 të tjerë, ndërsa 2 persona u shpallën në kërkim. Ndër të proceduarit penalisht janë edhe 3 të mitur.
Gjithashtu, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasit E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe ndaj shtetasve L. B., K. B. dhe G. B. për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Gjatë tubimit u dëmtuan 11 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia bën me dije se grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit, ndërsa materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme procedurale.
/gj.m/a.f/