E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kandidati për Bashkinë e Tiranës, PD takime me aleatët. Këlliçi: Gjetëm konsensus mbi profilin. Kapri: Figurë jashtë politikës dhe mbi palët

Partia Demokratike ka vijuar takimet me partitë opozitare për gjetjen e një figure dhe emri të përbashkët për kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Grupi negociator i PD-së u takua këtë të mërkurë (1 tetor) me përfaqësues të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Partisë Mundësia, me të cilët u ra dakord parimisht për një figurë jashtë partive politike dhe mbi palët.

Në një prononcim, deputeti Belind Këlliçi deklaroi se së shpejti do të bëhet me dije edhe emri i kandidatit të Opozitës së bashkuar, që do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës.

“Të gjitha partitë politike, kanë një konsensus për të dalë me një emër që të përballet që ditën e parë në garë me Ogerta Manastirliu dhe ta mposhtim. Dakordësia në parim është gjetur. Kemi diskutuar emra të përveçëm. Kemi rakorduar mbi profilin e kandidatit. Do shqyrtojmë çdo emër dhe propozim që vjen për maksimalizimin e votave dhe mbështetjes që do dalë për kandidaturën e opozitës së bashkuar. Do ia bëjmë me dije publikut së shpejti. Të kemi një kandidaturë që të bëjë ndryshimin në Tiranë”, deklaroi Këlliçi.

Edhe deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, u shpreh besimplotë se është arritur konsensusi me PD-në për figurën e kandidatit, ndërsa shtoi se nuk kanë vendosur kushte lidhur me emrat. Për Kaprin, e rëndësishme mbetet që kandidati të jetë përfaqësues i opozitës jashtë politikës.

“Sot ky ishte një takim i parë. Ne kemi dhënë emrin e një kandidati potencial, figurë publike me shumë integritet. Por presim të shprehet dhe ana tjetër. Jemi të lumtur që PD është afër këtij parimi.

Që janë dakord të respektohet propozimi ynë që një kandidat jashtë partive politike mbi palët të unifikojë opozitën në garën për Tiranën. Ne nuk po vëmë kusht për emër. Jemi te parimi. Kemi dhënë dhe ide të tjera.

Ne nuk po vëmë kushte për emrin.  Po respektohet ky parim dhe nga ana e PD që të jetë një përfaqësues i opozitës jashtë politikës. Njeri profesionist, publik, i ka shanset dhe është model tjetër”, tha ai.

Kujtojmë se procesi i zgjedhjeve për bashkinë është pezulluar pas ankimimit në Gjykatën Kushtetuese  nga Erion Veliajt të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.

Ditën e djeshme (30 shtator) qeveria dorëzoi në Presidencë vakancat për 6 bashkitë në vend, përfshi edhe Bashkinë e Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›