Kapen tre persona në kërkim, njëri i dënuar me 20 vite burgim për vrasje në Itali - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë kapur nga Policia e Vlorës, gjatë tre operacioneve të zhvilluara në 24 orët e fundit.
Në pranga ka rënë Maringlen Doga, 47 vjeç, i dënuar me 20 vite burgim për vrasjen me thikë të një shtetasi shqiptar, në vitin 2000, në Ravena të Italisë. Ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Gjithashtu, u kap një 49-vjeçar, i shpallur në kërkim pasi në banesën e tij, më 31 tetor, u gjetën rreth 12 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis (Cannabis sativa) dhe gjashtë bimë të dyshuara narkotike.
Në kuadër të operacionit të tretë u arrestua një 50-vjeçar, i dyshuar për pesë vjedhje të kryera gjatë muajve tetor dhe nëntor në qytetin e Vlorës. Sipas policisë, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash, portofol, laptop dhe celularë në subjekte dhe persona të ndryshëm.
Materialet procedurale për të tre rastet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/gj.m/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
