Kumbaro për arsimin e lartë: Dyfishohet financimi publik në një dekadë, rritet mbështetja financiare për studentët - ATSH -
TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Financimi publik për Arsimin e Lartë është dyfishuar në një dekadë, duke arritur në 12,68 miliardë lekë në vitin 2026, nga 6,2 miliardë lekë që ishte në vitin 2016. Kështu deklaroi ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila bëri të ditur se me buxhetin e vitit 2027 mbështetja financiare për arsimin e lartë do të vijojë të rritet.
Sipas ministres, paketa e re parashikon zgjerimin e skemës së mbështetjes financiare për studentët, duke përfshirë për herë të parë edhe studentët që ndjekin studimet në ciklin Master, në kategorinë e familjeve në nevojë dhe në programet me përparësi kombëtare.
Paketa pritet të mbështesë mbi 11.500 studentë, të ndarë në tri kategori. Konkretisht, 5.900 studentë nga familjet në nevojë do të përfitojnë 25 mijë lekë në muaj, nga 10 mijë lekë që përfitonin më parë. Ndërkohë, 5.500 studentë me rezultate të larta, me mesatare 9–10, do të vijojnë të përfitojnë bursë prej 10 mijë lekësh në muaj.
Mbështetje e veçantë parashikohet edhe për 177 studentë që ndjekin programe studimi me përparësi kombëtare, të cilët do të përfitojnë 50 mijë lekë në muaj. Kjo skemë do të shtrihet edhe në ciklin e studimeve Master.
Ministrja Kumbaro theksoi se rritja e financimit dhe zgjerimi i skemave të bursave synojnë të krijojnë më shumë mundësi për studentët, duke lehtësuar aksesin në arsimin e lartë dhe duke mbështetur ndjekjen e studimeve në programet me rëndësi për vendin.
/a.f/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
